Takim i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese me përfaqësues të Fondacionit “Hanns Seidel”, 13 qershor 2017
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate përfaqësues të Fondacionit gjerman “Hanns Seidel,” Dr. Susanne Luther, Drejtore e Institutit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, z. Henning Senger, Drejtor i Departamentit për Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, Kaukazet dhe Azinë Qendrore, si dhe z. Klaus Flesinger, Drejtor Rajonal për Europën Juglindore, të cilët shoqëroheshin në këtë takim nga znj. Nertila Mosko, drejtuese e zyrës së Fondacionit në Tiranë. Në fokus të këtij takimi ishte bashkëpunimi shumë i frytshëm i deritanishëm ndërmjet Gjykates Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit “Hanns Seidel,” si dhe thellimi i këtij bashkëpunimi në të ardhmen, në kuadër edhe të organizimit të veprimtarive me rastin e 25 vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari Bashkim Dedja i shprehu falënderimet dhe mirënjohjen përfaqësuesve të Fondacionit gjerman për ndihmesën dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme, të cilat kanë konsistuar jo vetëm në thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera të larta brenda vendit, si dhe me homologet e saj në rajon, por edhe në kualifikimin e vazhdueshëm profesional të këshilltarëve ligjor dhe stafit administrativ të gjykatës. Dr. Susanne Luther e siguroi z. Dedja për asistencën e mëtejshme të Fondacionit “Hanns Seidel,” veçanërisht sa i takon institucionit të Gjykates Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një partner shumë të rëndësishëm dhe duke evidentuar pozicionin dhe rolin që ajo luan në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.