| Bookmark and Share

Takim i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Bashkim Dedja me Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, Krzysztof Kwiatowski, 04 maj 2016.

Në datën 04 maj 2016 Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë Bashkim Dedja priti në një takim të veçantë Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë Krzysztof Kwiatowski, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të fillimit të një projekti të përbashkët bashkëpunimi “IPA 2013” mes institucionit që ai përfaqëson dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit shqiptar.

Pas prezantimit të organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Kryetari Dedja iu përgjigj interesimit të zotit Kwiatowski për sa i përket efektit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe theksoi rëndësinë që kanë institucionet e auditit në mirë-funksionimin e një shteti demokratik.

Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë Krzysztof Kwiatowski, i cili në këtë takim shoqërohej edhe nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj, shprehu kënaqësinë e bashkëpunimit me institucionet homologe shqiptare në fushën e auditimit në funksion të luftës ndaj korrupsionit dhe konfirmoi se ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet duke ofruar mbështetje konkrete për rritjen e kapaciteteve audituese.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.