Në datën 07 prill 2015, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, zoti Bashkim Dedja, priti në një takim zyrtar një delegacion të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari i kësaj gjykate, zoti Enver Hasani, në kuadër të zhvillimit të disa takimeve me personalitetet më të larta të vendit tonë.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime rreth zhvillimeve më të fundit me interes të përbashkët në fushën e drejtësisë kushtetuese, si dhe u konfirmua edhe një herë bindja për vazhdimësinë e këtij dialogu konstruktiv si një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy gjykatave kushtetuese.
Zoti Hasani falënderoi zotin Dedja për mbështetjen e vazhdueshme që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka dhënë për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Në takim ishin të pranishëm edhe sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, zoti Milot Vokshi, si dhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shqipëri, zoti Ramiz Lladrovci.