| Bookmark and Share

Takim online i delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, 18 mars 2021.

Në kuadër të monitorimit të respektimit të angazhimeve dhe detyrimeve të ndërmarra nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës që kanë nënshkruar dhe ratifikuar Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, një delegacion i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale  i përbërë nga z. Xavier Cadoret, raportues për demokracinë lokale, kryetar i Dhomës së Autoriteteve Lokale, anëtar i Komitetit të Monitorimit të Kongresit, znj. Carla Dejonghe, raportuese për demokracinë rajonale, Dhoma e Rajoneve, anëtare e Komitetit të Monitorimit të Kongresit, znj. Svitlana Pereverten, bashkë-sekretare e Komitetit të Monitorimit të Kongresit, dhe z. André Roux, anëtar i grupit të ekspertëve të pavarur për Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Lokale, zhvilloi sot në datën 18 mars 2021, një takim online me një delegacion të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të përbërë nga Kryetarja Vitore Tusha dhe anëtaret Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.

Takimi i delegacionit të raportuesve të Kongresit me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kishte në fokus çështje të tilla si: vendi që zë Karta Evropiane e Autonomisë Vendore në sistemin e brendshëm ligjor shqiptar; aksesi i autoriteteve lokale dhe rajonale në Gjykatën Kushtetuese; jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese në fushën e autonomisë lokale dhe referimi i Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore në vendimmarrjen e saj; objekti i ankesave më të zakonshme që paraqiten para Gjykatës Kushtetuese ndaj akteve të qeverisjes lokale; kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të gjykuar çështjet që lidhen me zgjedhjet vendore; situata aktuale e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese dhe plotësimit i tri vakancave të mbetura etj.

Në përfundim të këtij takimi, delegacioni i Kongresit shprehu vlerësimin për angazhimin dhe bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe bëri me dije se çështjet e diskutuara do të gjejnë pasqyrim në raportin dhe rekomandimet mbi demokracinë lokale dhe rajonale në vendin tonë, i cili do të paraqitet për miratim në një nga sesionet e Kongresit të ardhshëm.

18

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.