| Bookmark and Share

Takimi i 12-të i Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, Venecia, Itali, 8-9 tetor 2013

Me ftesë të Komisionit Evropian për Demokracinë Nëpërmjet Ligjit (Komisioni i Venecias), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga Zj. Noela Ruço, drejtore e Studimeve, Botimeve dhe Publikimeve, dhe Znj. Alma Çomo, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, mori pjesë në takimin e 12-të të Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, që u zhvillua në Venecia, Itali, në datat 8-9 tetor 2013.

Gjatë takimit pjesëmarrësit u informuan  mbi opinionet dhe raportet e Komisionit të Venecias mbi drejtësinë kushtetuese, të përgatitura që prej takimit të fundit që u zhvillua në Brno, të Republikës Çeke, në 31 maj 2012. Gjithashtu, pjesëmarrësit morën informacion dhe mbi aktivitetet e përbashkëta që Komisioni i Venecias ka zhvilluar me Konferencën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese (CECC), me Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese që përdorin Gjuhën Frënge (ACCPUF), me Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese dhe Institucioneve Ekuivalente të Azisë, si dhe me organizata dhe shoqata të tjera ndërkombëtare që operojnë në fushën e drejtësisë kushtetuese. Pjesëmarrësit zhvilluan dhe një sesion trajnimi mbi përdorimin e database-it CODICES, në mënyrë specifike mbi azhornimin dhe indeksimin e ligjeve dhe kushtetutave, si dhe mbi mënyrën e aksesimit në bazën e të dhënave.

Në ditën e dytë të takimit u zhvillua dhe një minikonferencë mbi të drejtat e fëmijëve, gjatë të cilës referuan përfaqësues nga Sekretariati i Komisionit të Venecias, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si dhe nga gjykatat kushtetuese të Austrisë, të Republikës së Çekisë dhe të Këshillit të Shtetit të Holandës.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.