Takimi i 13-të i Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, Batumi, Gjeorgji, 26-27 qershor 2014
Me ftesë të Z. Schnutz Rudolf Dürr, Drejtues i Divizionit për Drejtësinë Kushtetuese të Komisionit të Venecias Znj. Noela Ruço Drejtore e Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë mori pjesë në Takimin e 13-të të Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, në cilësinë e nëpunëses ndërlidhëse e Komisionit të Venecias, i cili zhvilloi punimet në Batumi, Gjeorgji në datat 26-27 qershor 2014.
Në këtë takim, i cili u hap dhe u kryesua nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Gjeorgjisë, u bë një shkëmbim përvojash dhe informacionesh mes përfaqësuesve të grupeve rajonale dhe gjuhësore të cilët bashkëpunojnë me Komisionin e Venecias.
Këshilli i Përbashkët ftoi të gjithë nëpunësit ndërlidhës të kontribuojnë në Forumin e Venecias. Këshilli u informua gjithashtu rreth veprimtarisë së Komisionit të Venecias dhe të opinioneve të miratuara nga ky Komision në fushën e drejtësisë kushtetuese, si dhe rreth pjesëmarrjes dhe organizimit të përbashkët të konferencave dhe seminareve në bashkëpunim me Gjykatat Kushtetuese.
Në këtë Takim të 13-të të Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese u miratua versioni 22 i bazës së të dhënave të jurisprudencës kushtetuese të vendeve anëtare të Komisionit të Venecias CODICES.
Mbledhja u pasua nga një mini-konferencë me temën : « Roli i Gjykatave Kushtetuese në periudhë krizash ekonomike ».