| Bookmark and Share

Takimi i 16-të i Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, Karlsruhe, Gjermani, 18-19 maj 2017

Me ftesë të zotit Schnutz Rudolf Dürr, drejtues i Divizionit për Drejtësinë Kushtetuese të Komisionit të Venecias, zoti Kujtim Osmani, sekretar i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe zonja Noela Ruço, drejtore e Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe në cilësinë e nëpunëses ndërlidhëse të Komisionit të Venecias, morën pjesë në Takimin e 16-të të Këshillit të Përbashkët për Drejtësinë Kushtetuese, i cili zhvilloi punimet në Gjykatën Kushtetuese Federale të Gjermanisë në Karlsruhe në datat 18-19 maj 2017.
 
Ky takim u hap dhe u përshëndet nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, zoti Andreas Vosskuhle, dhe kryetari i Komisionit të Venecias, zoti Gianni Buquicchio, të cilët theksuan nevojën për thellimin e bashkëpunimit, si dhe shkëmbit të përvojave e informacioneve mes përfaqësuesve të grupeve rajonale dhe gjuhësore, të cilët bashkëpunojnë me Komisionin e Venecias.
 
Këshilli u informua gjithashtu rreth veprimtarisë së Komisionit të Venecias dhe të opinioneve të miratuara nga ky Komision në fushën e drejtësisë kushtetuese, si dhe rreth pjesëmarrjes dhe organizimit të përbashkët të konferencave dhe seminareve në bashkëpunim me gjykatat kushtetuese.
 
Në ditën e dytë të takimit u zhvillua minikonferenca me temë: “Gjykatat e guximshme: siguria, ksenofobia dhe të drejtat themelore”.
 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.