| Bookmark and Share

Vizitë e Ambasadorit të Bashkimit Europian, Shkëlqesisë së Tij Zotit Luigi Soreca, në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë

Sot, në datën 30.09.2020, Zonja Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Zëvendëskryetare e KED-së, priti në një takim zyrtar në ambientet e kësaj Gjykate, Ambasadorin e Bashkimit Europian, Shkëlqesinë e Tij Zotin Luigi Soreca.


Gjatë këtij takimi, duke ndarë shqetësimin e përbashkët për bërjen sa më shpejt funksionale të Gjykatës Kushtetuese, si dhe duke evidentuar rolin e rëndësishëm që ajo luan për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individit, forcimin e demokracisë dhe ruajtjen e stabilitetit të vendit, palët pjesëmarrëse u ndalën në zhvillimet më të fundit të veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, në funksion të përzgjedhjes dhe renditjes së kandidaturave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.


Zonja Tusha shprehu edhe një herë falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që u është dhënë institucioneve shqiptare, veçanërisht në funksion të zbatimit dhe progresit të reformës në drejtësi dhe ecjes përpara në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nga ana e tij, Ambasadori Soreca ritheksoi angazhimin maksimal dhe solidaritetin e tij të plotë për mbështetjen e Shqipërisë në përmbushjen si duhet dhe sa më të shpejt të kushteve të anëtarësimit dhe realizimin e objektivit të saj strategjik më të rëndësishëm – integrimin në Bashkimin Europian.

foto foto

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.