Vizitë e Baroneshës Helene Hayman, Kryetare e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar.
Me ftesë të Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Znj. Jozefina Topalli, ndodhet në Shqipëri për një vizitë disa ditore Kryetarja e Dhomës së Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar, Baronesha Helene Hayman.
Në kuadër të kësaj vizite, sot, Baronesha Hayman është pritur edhe nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Dr. Vladimir Kristo, në ambientet e kësaj gjykate. Fillimisht, Kryetari i Gjykatës bëri një paraqitje të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Duke mbështetur edhe opinionin e Baroneshës Hayman për mbarëvajtjen e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese, Kryetari Kristo shprehu kënaqësinë e tij për mesazhet që ka arritur të japë ky institucion lidhur me integritetin dhe pavarësinë në funksionimin e tij.
Po ashtu, Kryetari u ndal në momentin e ripërtëritjes së përbërjes të kësaj gjykate dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj, duke theksuar nevojën për prurjen e juristëve me integritet të lartë moral dhe profesional, gje që do të kishte një ndikim shumë pozitiv për vazhdimësinë dhe konsolidimin e mëtejshëm të jurisiprudencës dhe imazhit të këtij institucioni si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kryetari përfitoi nga rasti për të shprehur edhe një herë se, pavarësisht këtij momenti të veçantë, veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese vijon normalisht në pritje të përfundimit të procesit të rinovimit.
Nga ana e saj, Baronesha Helene Hyaman vuri në dukje se në themel të veprimtarisë së çdo institucioni kushtetues, e veçanërisht të Gjykatës Kushtetuese, qendron pavarësia e tij, e cila para së gjithash garantohet dhe forcohet nëpërmjet një procesi transparent dhe të pavarur për zgjedhjen e anëtarëve të tij. Është shumë e rendësishme, theksoi Baronesha Hayman, të krijohet një kulture e qendrueshme institucionale, e cila jo vetëm që do t’i ndihmonte së tepërmi gjyqtarët në punën e tyre dhe ngritjen e kapacitetit profesional, por do të evitonte në një shkallë të gjerë edhe prirjet për të dalë jashtë këtij konteksti kulturor. Gjykata Kushtetuese është një prej institucioneve kushtetuese më të rendësishme të shtetit të së drejtës, e cila është gjithmonë aty për tu vënë në lëvizje nga subjektet që parashikon Kushtetuta dhe për të përmbushur si duhet të gjitha funksionet dhe detyrat që i janë caktuar nga ligji themelor i shtetit.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Ambasadorët e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në vendet respektive, Sh.T.Znj. Fiona Mekiluam dhe Sh.T.Z. Zef Mazi