Me ftesë të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e kryesuar nga Kryetarja e kësaj gjykate, znj. Vitore Tusha, po zhvillon një vizitë pune dyditore në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në përbërje të delegacionit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë ishin edhe përfaqësues të stafit administrativ të kësaj gjykate të cilët u pritën në takime të veçanta nga homologët e tyre.
Në takimin e zhvilluar mes gjyqtarëve të të dyja gjykatave u diskutua rreth vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19 në funksionimin institucional, praktikat dhe metodat e ndjekura në shqyrtimin e çështjeve si dhe risitë në këtë drejtim, me fokusin tek vendimmarrja në distancë e aplikuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke qenë gjithmonë në përputhje me dhe në zbatim të standardeve më të mira ndërkombëtare.
Një vëmendje të veçantë në këto diskutime iu kushtua edhe kontrollit incidental dhe atij abstrakt, si dhe fuqisë detyruese në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Znj. Tusha u shpreh se me bërjen përsëri funksionale të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe duke u mbështetur tek profesionalizmi dhe angazhimi i trupës së re të kësaj gjykate, do të vijojë zhvillimi i veprimtarive të përbashkëta me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, si në nivel gjyqtarësh ashtu edhe në nivel stafi administrativ, me qëllim shkëmbimin reciprok të përvojave.
Në përfundim të takimit, kryetaret e të dyja gjykatave shprehën zotimin e plotë dhe gatishmërinë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit që ekzistojnë mes dy gjykatave kushtetuese.