| Bookmark and Share
Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

Historiku

Ndryshimet demokratike që ndodhën në fillim të viteve ’90 shënuan kthesë rrënjësore në historinë e shtetit shqiptar dhe të institucioneve të tij. Orientimi demokratik i shtetit kërkonte kryerjen e një reforme institucionale të thellë, e cila duhet t’i hapte rrugë shndërrimeve demokratike për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Parimet themelore që udhëhoqën këto ndryshime demokratike u shpallën fillimisht me ligjin nr.7491 dt.29.04.1991 Për dispozitat kryesore kushtetuese, më pas me ligjin nr.7561 dt.29.04.1992 Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491 dt.29.04.1991 Për dispozitat kryesore kushtetuese.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve u krijua edhe Gjykata Kushtetuese, si një nga institucionet më të rëndësishme për garantimin e rendit të ri kushtetues që po instalohej në Shqipëri. Që në fillim ky institucion u konsiderua nga ligjvënësi si autoriteti më i lartë që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Sipas kësaj baze kushtetuese Gjykata Kushtetuese përbëhej nga 9 anëtarë, 5 prej të cilëve zgjidheshin nga Kuvendi dhe 4 nga Presidenti i Republikës. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhej me votim të fshehtë nga vetë gjyqtarët. Ligji i mësipërm përcaktonte edhe statusin e gjyqtarëve kushtetues, kompetencat e atributet, subjektet që e vinin në lëvizje dhe fuqinë detyruese të vendimeve të saj.

Anëtarët e parë të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë Manol Konomi, Feti Gjilani, Hilmi Dakli, Rustem Gjata, Franc Jakova, Veli Budo, Thimjo Kondi, Natasha Sheshi, Ylvi Myrtja. Kryetar  i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh Rustem Gjata për një periudhë 3-vjeçare, mandat i cili u përsërit në vitin 1995.

Ndryshimet në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë prezente për shkak të zbatimit të kërkesave të ligjit kushtetues për përtëritjen e saj, të dorëheqjes së disa prej anëtarëve dhe të vdekjes para mbarimit të mandatit të gjyqtarit. Si rrjedhojë e kësaj janë emëruar në postin e gjyqtarit kushtetues Alfred Karamuço, Zija Vuci, Metush Saraçi në vendet vakante të krijuara nga dorëheqja e Thimjo Kondit, Natasha Sheshit dhe Ylvi Myrtjes. Gjithashtu u emëruan gjyqtarë Kristofor Peçi dhe Halil Kopani në vendet vakantë të krijuar nga largimi i Metush Saraçi dhe vdekja e Feti Gjilanit. Në mars e prill të vitit 1998 janë emëruar gjyqtarë nga Presidenti i Republikës Kujtim Puto, si edhe janë zgjedhur nga Kuvendi Hajredin Fuga, Sokol Sadushi dhe Fehmi Abdiu në vendet vakantë të krijuar pas largimit të Manol Konomit, Rustem Gjatës, Halil Kopanit dhe Veli Budos. Fehmi Abdiu u zgjodh kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në nëntor të 1998 jep dorëheqjen Franc Jakova dhe në vend të tij emërohet Bardha Selenica. Sabri Rrapi zuri vendin e Hilmi Daklit pas dorëheqjes së këtij të fundit. Në prill të 2001 mbaroi mandati i gjyqtarëve Hajredin Fuga, Sabri Rrapi dhe Bardha Selenica. Në postet e tyre u emëruan Gjergj Sauli, Tefta Zaka dhe Petrit Plloçi. Në vitin 2002 Tefta Zaka jep dorëheqjen dhe në vendin vakant emërohet Xhezair Zaganjori. Në vitin 2004 përfundon mandati i Zija Vucit dhe në vendin vakant emërohet Vjollca Meçaj. Gjergj Sauli emërohet po në këtë vit nga Presidenti i Republikës, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në vitin 2007 përfundojnë mandatin Vjollca Meçaj, Alfred Karamuço dhe Kristofor Peçi. Në postet e tyre u emëruan Vladimir Kristo, Sokol Berberi dhe Vitore Tusha. Po në këtë vit Vladimir Kristo emërohet nga Presidenti i Republikës Kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në vitin 2008 përfundon mandati i Gjergji Saulit dhe në vendin vakant emërohet Admir Thanza. Në prill të vitit 2010 mbaroi mandati i gjyqtarëve Kujtim Puto, Fehmi Abdiu dhe Sokol Sadushi. Në vendet e tyre u emëruan Bashkim Dedja, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha. Në maj të po këtij viti, përfundon mandati i gjyqtarëve Petrit Plloçi, Xhezair Zaganjori dhe Admir Thanza. Po këtë vit, Bashkim Dedja emërohet Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

 Në prill të vitit 2013, Gani Dizdari, Besnik Imeraj dhe Fatos Lulo emërohen nga Presidenti i Republikës si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Në tetor të po këtij këtë viti, Bashkim Dedja riemërohet Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Ka pasur polemika sa i përket çështjes së përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese. Burim për këto polemika ka qenë interpretimi i ndryshëm që i bëhej dispozitave të ligjit kushtetues që rregullonte funksionimin e këtij institucioni. Gjithsesi rregullimi i ri kushtetues dhe ligjor bëri që të mënjanoheshin keqkuptimet lidhur me këtë çështje.

Ligji kushtetues nr.7561, datë 29.04.1992 Për disa ndryshime e plotësime në ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 Për dispozitat kryesore kushtetuese mbi bazë të të cilit u krijua dhe Gjykata Kushtetuese kërkonte nxjerrjen e akteve të tjera për rregullimin e veprimtarisë së saj. Më 15.07.1998 Kuvendi miratoi ligjin nr.8373 Mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i cili krijoi një bazë ligjore për çështjet e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese.

Më 28.11.1998 hyri në fuqi Kushtetuta e Shqipërisë, në të cilën Gjykata Kushtetuese zuri përsëri një pozitë institucionale të rëndësishme. Gjithashtu ajo solli dhe ndryshime në mënyrën e caktimit të anëtarëve, të kompetencave dhe subjekteve që e vënë atë në lëvizje. Gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Kryetari emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë riemërimi.

Kushtetuta kërkonte nxjerrjen e akteve ligjorë në zbatim të saj. Si rrjedhojë e kësaj, më 10.02.2000 Kuvendi miratoi ligjin nr.8577 Mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i cili u hartua me ndihmën e Komisionit të Venecias “Demokracia përmes ligjit”. Ky ligj rregullonte çështje të tilla, si p.sh mënyrën e paraqitjes së kërkesës, shqyrtimin paraprak, procedurat e gjykimit, statusin dhe mandatin e gjyqtarit.

Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese ndahet në dy periudha: periudha e parë përfshin kohën gjatë së cilës ajo ka funksionuar në bazë të Dispozitave Kryesore Kushtetuese, ndërsa periudha e dytë përfshin kohën pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Që nga krijimi i saj Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendime të natyrave të ndryshme duke u shprehur për kushtetutshmërinë ose jo të normave ligjore apo akteve normative të institucioneve qendrore dhe vendore, interpretimin e Kushtetutës, parimet kushtetuese për një proces të rregullt ligjor.

Që prej krijimit të saj vëllimi i punës së kryer nga Gjykata Kushtetuese ka shënuar rritje të ndjeshme. Për këtë mund t’i hidhet një sy të dhënave të mëposhtme:

- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ‘92…………………...121
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’93...…………………13
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’94...…………………11
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’95...…………………16
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ‘96…………………… 46
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ‘97…………………… 62
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ‘98…………………… 79
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ‘99…………………… 67
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ‘00…………………… 96
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’01..…………………213
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’02..…………………243
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’03..…………………279
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’04..…………………210
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’05..…………………256
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’06..…………………251
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’07..…………………222
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’08..…………………174
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’09..…………………143
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’10..…………………143
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’11..…………………209
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’12..…………………206
- Çështje të gjykuara gjithsej në vitin ’13..…………………206

Rëndësia e vendimeve të dhëna nga Gjykata Kushtetuese qëndron jo vetëm tek shfuqizimi i akteve normative si antikushtetuese por edhe tek fakti i ndikimit që kanë ato tek organet e administratës publike për t’u treguar më të matur në nxjerrjen e akteve apo normave, që në çdo rast duhet të jenë të bazuara në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse. Gjatë procesit vendimmarrës Gjykata Kushtetuese është përpjekur të qëndrojë statike në pozitat e saj si institucion kushtetues i pavarur për të mos u bërë pre e ndikimeve nga jashtë.

Gjithsesi, pavarësisht vështirësive, praktika e kësaj Gjykate, megjithëse modeste, ka arritur të konsolidohet vit pas viti, gjë që shihet tek theksi që u vihet parimeve themelore kushtetuese gjatë arsyetimit të vendimeve.


1 Këtu përfshihen edhe çështjet, të cilat nuk janë gjykuar në seancë plenare por në kolegj.

© 2016 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.