| Bookmark and Share

Thirrje për aplikim, specialist ligjor për përmbledhjen e vendimeve

Në kuadër të Projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, të mbështetur nga Konfederata Zvicerane, e përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, kërkohet të angazhohet me kohë të pjesshme (part-time) për një periudhë disa mujore një specialist ligjor për të ndihmuar me sintetizimin e vendimeve të Gjykatës dhe përgatitjen e buletinit periodik të saj në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

Nën kujdesin e Kabinetit të Kryetarit dhe mbikqyrjen e Njësisë së Shërbimit Ligjor të Gjykatës Kushtetuese, specialisti do të ndihmojë me përgatitjen e përmbledhjeve sintetike të vendimeve të Gjykatës, përmbledhje të cilat do të jenë pjesë e buletinit periodik dy-mujor të vendimmarrjes së kësaj Gjykate.

Përshkrimi i detyrave:

Specialisti ligjor kryen detyrat e mëposhtme:

- njihet me vendimet, i rendit/klasifikon ato dhe përgatit përmbledhjen sintetike të tyre (në dy gjuhë) sipas metodologjise dhe modelit të miratuar nga Gjykata;

- përgatit draftin e buletinit periodik të vendimmarrjes dhe merr miratimin për përmbajtjen përfundimtare të tij;

- ndihmon në krijimin e adresarit të buletinit (lista e institucioneve dhe organizatave tek të cilat do të shpërndahet buletini) dhe kujdeset për përditësimin e tij;

- ndjek shpërndarjen e buletinit sipas adresarit përkatës dhe raporton për shpërndarjen e tij;

- bashkëpunon për realizimin e veprimtarive të ndërmarra në zbatim të projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”.

Kritere të përgjithshme për përzgjedhje:

- të ketë përfunduar studimet universitare për drejtësi;

- të ketë përvojë në studio avokatie, institucione apo organizata vendase ose ndërkombëtare që punojnë në fushën e drejtësisë dhe atë të të drejtave të njeriut;

- të jetë angazhuar apo marrë pjesë në veprimtari e nisma që promovojnë drejtësinë kushtetuese dhe respektimin e të drejtave të njeriut;

- të ketë përvojë me hulumtimin, analizimin dhe sintetizimin e vendimeve gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, në kuadër të botimeve profesionale ligjore;

- të jetë njohës/e shumë i/e mirë i terminologjisë ligjore në gjuhën angleze, njohuri këto të demonstruara përmes kualifikimeve profesionale apo studimeve në këtë gjuhë;

- të ketë aftësi shumë të mira organizative dhe komunikimi, si dhe aftësi të mira për të punuar në grup

Aplikimi:

Personat e interesuar të cilët përmbushin kriteret e lartpërmendura ftohen të paraqesin brenda datës 9 prill 2024 jetëshkrimin e tyre (sipas formatit Europass) dhe një letër motivimi në adresën: Erion.Tafaj@gjk.gov.al

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.