| Bookmark and Share

Thirrje për studentë për dokumentimin dhe sintetizimin e vendimeve

Në kuadër të Projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, të mbështetur nga Konfederata Zvicerane, e përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese kërkon të angazhojë me kohë të pjesshme (part-time) për një periudhë 10-mujore studentë të drejtësisë të cilët do të ndihmojnë me dokumentimin dhe sintetizimin e vendimeve të saj. Kjo thirrje synon fuqizimin e të rinjve për të qenë aktiv në promovimin e drejtësisë kushtetuese, duke i përgatitur ata jo vetëm si profesionistë të ardhshëm të së drejtës, por edhe si qytetarë të mirëinformuar e të aftë për një mbrojtje dhe respektim më të mirë të drejtave e lirive të komunitetit ku ata jetojnë e veprojnë.

Qëllimi i shërbimit:

Nën kujdesin e Kabinetit të Kryetarit dhe mbikqyrjen e Njësisë së Shërbimit Ligjor të Gjykatës Kushtetuese, studenti/ja do të ndihmojë me përgatitjen e përmbledhjeve sintetike të vendimeve të Gjykatës, përmbledhje të cilat do të jenë pjesë e buletinit periodik dy-mujor të vendimmarrjes së kësaj Gjykate. Studenti/ja do të kujdeset që tekstet të hartohen në gjuhën shqipe dhe në atë angleze.

Përshkrimi i detyrave:

Studenti/ja i/e angazhuar do të kryejë detyrat e mëposhtme:

- njihet me vendimet, i rendit/klasifikon ato dhe përgatit përmbledhjen sintetike të tyre (në dy gjuhë) sipas metodologjise dhe modelit të miratuar nga Gjykata;

- përgatit draftin e buletinit periodik të vendimmarrjes dhe merr miratimin për përmbajtjen përfundimtare të tij;

- ndihmon në krijimin e adresarit të buletinit (lista e institucioneve dhe organizatave tek të cilat do të shpërndahet buletini) dhe kujdeset për përditësimin e tij;

- ndjek shpërndarjen e buletinit sipas adresarit përkatës dhe raporton për shpërndarjen e tij;

- bashkëpunon për realizimin e veprimtarive të ndërmarra në zbatim të projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”.

Kriteret për përzgjedhje:

- të jetë student/e në Fakultetin e Drejtësisë me rezultete të larta;

- të ketë aftësi për të analizuar dhe përmbledhur vendime gjyqësore, veçanërisht vendime të Gjykatës Kushtetuese të Repulikës së Shqipërisë;

- të jetë njohës/e shumë i/e mirë i terminologjisë ligjore në gjuhën angleze;

- të jetë angazhuar apo marrë pjesë në veprimtari e nisma që promovojnë drejtësinë kushtetuese dhe respektimin e të drejtave të njeriut;

- të ketë aftësi shumë të mira organizative dhe komunikimi, si dhe aftësi të mira për të punuar në grup

Aplikimi:

Personat e interesuar të cilët përmbushin kriteret për ta kryer këtë shërbim ftohen të paraqesin brenda datës 26 janar 2024 jetëshkrimin e tyre (sipas formatit Europass) në adresat e e-mail-it: erion.tafaj@gjk.gov.al dhe ama.kraja@gjk.gov.al .

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.