| Bookmark and Share

Vizitë e një delegacioni të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Rumanisë pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, 27 – 30 maj 2014

Me ftesë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja, në datat 27 – 30 maj 2014, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Rumanisë i përbërë nga Z. Augustin ZEGREAN, Kryetar i Gjykatës, Z. Daniel-Marius MORAR, Z. Toni GREBLA, Gjyqtarë, Znj. Oana RAICAN, Drejtuese e Zyrës së Kryetarit,  ka zhvilluar një vizite pune pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
 
Në kuadër të kësaj vizite, në datën 27 maj 2014, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë është pritur në një takim zyrtar nga Ministri i Drejtësisë, Z. Nasip Naço. Në datën 28 maj 2014, delegacioni rumun është pritur në një takim zyrtar në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, nga Kryetari i kësaj Gjykatës Z. Bashkim Dedja. Palët në takim shprehën vullnetin dhe angazhimin institucional për të kontribuar në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira të bashkëpunimit dypalësh që ekzistojnë mes dy gjykatave kushtetuese. Delegacioni rumun zhvilloi më pas, në Sallën e Bisedimeve, një takim me anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese.

Në vazhdim, në ambientet e Hotel Boutique Koton, u zhvillua një tryezë e rrumbullakët dhe bashkëbisedim për temën “Kontrolli kushtetues i akteve normative nga Gjykata Kushtetuese”, ku morën pjesë  gjyqtarët kushtetues të të dy gjykatave, si dhe këshilltarë dhe përfaqësues të stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Gjatë tryezës u mbajtën referime nga gjyqtarët kushtetues, Z. Sokol Berberi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Z. Daniel-Marius MORAR e Z. Toni GREBLA, anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Rumanisë, si dhe pjesëmarrësit shkëmbyen njohuritë dhe përvojat e tyre respektive në fushën e drejtësisë kushtetuese.

Në datat 28 dhe 29 maj 2014, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Rumanisë është pritur në takime zyrtare dhe nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prof. Dr. Xhezair Zaganjori dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bujar Nishani.

Për nder të delegacionit nga Gjykata Kushtetuese e Rumanisë, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja, shtroi edhe një darkë zyrtare në të cilën ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Rumanisë në Republikën e Shqipërisë, SH.T.Z. Viorel Stӑnilӑ.

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.