| Bookmark and Share

Seminar me temë "Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut në Evropë", i organizuar në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ)

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), organizuan në datat 14-16 nëntor 2012 një seminar të përbashkët me temë “Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut në Evropë”, me pjesëmarrjen e këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ të gjykatës. Lektor i seminarit ishte Prof. Dr.Jan Bergmann, Gjyqtar Kryesues në Gjykatën Administrative të Shtutgartit, Gjermani.

Seminari u zhvillua sipas disa sesioneve, gjatë të cilave u trajtuan tema të veçanta si zhvillimi historik i të drejtave të njeriut, struktura e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe e Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, interpretimi i të drejtave të njeriut, mbrojtja e të drejtave të njeriut në Bashkimin Evropian, probleme të zbatimit të Kartës së të Drejtave të Njeriut etj. Gjatë prezantimit, lektori solli dhe shembuj të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të trajtimit në praktikë të çështjeve të veçanta, nisur nga përvoja e tij si gjyqtar në një gjykatë administrative.

Pjesëmarrësit, gjatë aktivitetit, diskutuan dhe dhanë opinione në lidhje me temat dhe kazuset e trajtuara nga lektori si dhe theksuan domosdoshmërinë e organizimit të takimeve të tilla edhe në të ardhmen, në drejtim të njohjes dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.