| Bookmark and Share

Tryezë e përbashkët diskutimesh mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, 14 prill 2023

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në bashkëpunim me zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri organizoi një tryezë të përbashkët diskutimesh me Gjykatën e Lartë me temë: “Juridiksioni kushtetues dhe juridiksioni gjyqësor – pikëtakimet dhe ndarjet midis tyre”. Në këtë aktivitet morën pjesë trupat e gjyqtarëve të të dyja gjykatave, këshilltarë ligjorë dhe staf administrativ nga secila prej tyre, si dhe përfaqësues të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Aktiviteti i përbashkët u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, të Zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë, z, Sokol Sadushi, si dhe të Ambasadorit të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Guido De Sanctis.

Punimet u zhvilluan në dy sesione, ku gjatë sesionit të parë gjyqtarët e secilës prej gjykatave referuan mbi nën-temat e mëposhtme: hapësira dhe kufijtë e interpretimit kushtetues të gjykatave të zakonshme; gjykimi incidental dhe natyra e vlerësimit të gjyqtarit të zakonshëm; roli që luan gjyqtari kushtetues në interpretimin e ligjit të zakonshëm për t’i dhënë kuptim normës kushtetuese; roli i Gjykatës së Lartë për të siguruar uniformitetin e praktikës gjyqësore.

Temat e trajtuara gjatë sesionit të dytë kishin në fokus: standardin e gjykatës së caktuar me ligj dhe zbatimin e tij në përputhje me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që përcaktojnë juridiksionin e Gjykatës së Lartë për njësimin dhe zhvillimin e praktikës ligjore; arsyetimin e vendimeve të dhomës së këshillimit, natyrën e pretendimeve të parashtruara në rekurs si përcaktuese të detyrimit të Gjykatës së Lartë për të trajtuar dhe rastet kur gjykatat më të ulëta kanë dhënë zgjidhje ligjore diametralisht të kundërta; të drejtën e mbrojtjes efektive të individit në gjykimin në Gjykatën e Lartë, si dhe gjykimin në dhomën e këshillimit veçanërisht kur ajo gjykatë shqyrton, me nismën e saj, çështje ligjore pa njoftuar paraprakisht palët.

Në vijim të prezantimeve të mbajtura, gjyqtarët e të dy gjykatave shtruan pyetje dhe zhvilluan diskutime lidhur me temat e referuara, duke evidentuar rëndësinë e organizimit të takimeve të tilla për shkëmbimin e mendimeve dhe përmirësimin e vendimmarrjeve respective.

tryeza e perbashket me gjl 2   tryeza e perbashket me gjl 3 tryeza e perbashket me gjl tryeza e perbashket me gjl 1

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.