Në datat 18 – 20 prill 2011, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kryetari i saj, Prof. Dr. Enver Hasani, dhe i përbërë nga gjithë trupa e gjyqtarëve të kësaj gjykate, këshilltarët e tyre ligjorë, Sekretarja e Përgjithshme dhe Drejtorja e Kabinetit, zhvilloi një vizitë pune në Shqipëri në kuadër të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale të bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave kushtetuese respektive.
Në datën 18 prill 2011, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u prit nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja, si dhe nga trupa e gjyqtarëve të kësaj gjykate. Pjesë e kësaj vizite në ambientet e Gjykatës Kushtetuese ishte edhe organizimi i një ceremonie zyrtare me rastin e nënshkrimit nga Kryetarët e dy Gjykatave Kushtetuese të marrëveshjes për “Bashkëpunimin reciprok dhe ndihmën e ndërsjelltë në fusha me interes të përbashkët për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.” Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon një hap shumë të rëndësishëm për institucionalizimin dhe promovimin në vazhdimësi të marrëdhënieve të bashkëpunimit reciprok midis dy gjykatave kushtetuese. Më pas, delegacioni kosovar u prit në një takim zyrtar nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Jozefina Topalli.
Në datën 19 prill 2011, në bashkëpunim edhe me Fondacionin gjerman “Hanns Seidel,” u organizua seminari i përbashkët me temë “Kontrolli Incidental.” Gjatë punimeve të këtij seminari, gjyqtarët kushtetues shqiptar dhe ata kosovarë diskutuan gjerësisht rreth temës së seminarit, shkëmbyen njohuritë dhe përvojat e tyre respektive në fushën e gjykimit incidental, duke evidentuar rëndësinë që ai mbart për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Në datën 20 prill 2011, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të shoqëruar nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja, u pritën në një takim zyrtar edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bamir Topi, gjatë të cilit Presidenti Topi shprehu vullnetin dhe angazhimin institucional për të kontribuar në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve tona në shërbim të zgjerimit dhe thellimit të marrëdhënieve shumë të mira midis institucioneve të drejtësisë të shtetit shqiptar dhe atyre të shtetit kosovar.