| Bookmark and Share
Përbërja
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të emëruar me një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti [...]

Konferenca Rajonale me temë: “Veçoritë e gjykimit kushtetues dhe dallimi nga juridiksioni i gjykimit të zakonshëm”, Prishtinë, Kosovë, 13 Qershor 2014

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në 13 qershor 2014, në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe me mbështetjen e Fondacionit “Hanns Seidel” organizoi Konferencën Rajonale me temë: “Veçoritë e gjykimit kushtetues dhe dallimi nga juridiksioni i gjykimit të zakonshëm”, në Prishtinë, Kosovë. Në këtë konferencë, krahas gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, morën pjesë edhe homologët e tyre nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë dhe Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi.

Punimet e Konferencës i hapi Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Z. Bashkim Dedja, me pas pershëndetën pjesmarrësit Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Z. Enver Hasani dhe Znj. Nertila Mosko, përfaqësuese e Fondacionit “Hanns Seidel” në Shqipëri.

Në sesionin e parë me temë “Juridiksionet respektive të gjykatës kushtetuese dhe gjykatave të sistemit të zakonshëm lidhur me kontrollin kushtetues” referuan Znj. Vangelina Markudova, gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Z. Altai Suroi. Të dy referimet u pasuan nga debate dhe diskutime nga të pranishmit.

Sesioni i dytë me temë: “Dallimet dhe ngjashmëritë e kontrollit kushtetues në të dyja juridiksionet”, u pasua me fjalën e Dr. Dragoljub Drašković, anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Malit të Zi dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Z. Bashkim Dedja. Në fjalën e tij, Z. Dedja, pasi bëri një pamje të përgjithshme të pozicionit të Gjykatës Kushtetuese në sistemin kushtetues shqiptar, theksoi se: “në termat e gjykimit procedural, shqyrtimi kushtetues dhe gjykimi i zakonshëm kanë shumë ngjashmëri, ndërsa në termat e gjykimit substancial, gjykimi kushtetues është krejt i ndryshëm nga gjykimi i zakonshëm. Në pikën e takimit mes dy juridiksioneve që është procesi i rregullt ligjor, Gjykata Kushtetuese ka tashmë një praktikë mbi 20 vjeçare, të konsiderueshme për vënien e kufijve përkatës, edhe pse me debate të vazhdueshme dhe ndonjëherë dilematike për pjesë të imëta të këtij kontrolli”.

Në përfundim të Konferencës, Kryetarët e Gjykatave Kushtetuese të Shqipërisë dhe të Kosovës, Z.Bashkim Dedja dhe Z. Enver Hasani, mbajtën fjalën e mbylljes duke falënderuar pjesëmarrësit si dhe bashkëorganizatorët e këtij aktiviteti për kontributin e dhënë.
 
 

 

© 2017 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.