Vizitë e një delegacioni të Ministrisë së Drejtësisë së Landit të Hamburgut
Me ftesë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë së Landit të Hamburgut, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, Z.Wolgang Siewert, dhe i përbërë nga Znj. Dr. Nicole Geffers, Anëtare e Gjykatës së Lartë, Drejtore e Drejtorisë së të Drejtës Private, Z. Dr. Holger Schatz, Drejtor i Drejtorisë së të Drejtës Penale dhe Znj. Simone Kaefer, Zv. Drejtore e Drejtorisë së të Drejtës Publike, po zhvillon në Shqipëri një vizitë pune disa ditore.
Në kuadër të kësaj vizite, sot, më datë 6 prill 2011, ky delegacion është pritur në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nga Z. Xhezair Zaganjori, anëtar i kësaj gjykate. Në takim ishin gjithashtu të pranishëm Z. Kujtim Osmani, Sekretar i Përgjithshëm, dhe Z. Durim Kadiu, Drejtor i Kabinetit të Kryetarit. Gjatë takimit, Z. Xhezair Zaganjori bëri një paraqitje të mënyrës së organizimit dhe funksionimit të institucionit të Gjykatës Kushtetuese, duke nënvizuar rolin e saj si garante e respektimit të Kushtetutës dhe mbrojtëse e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ndërsa përfaqësuesit e delegacionit gjerman bën një përshkrim të përgjithshëm të organizimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor në Landin e Hamburgut.