Në datën 11 tetor 2011, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Z. Bashkim Dedja, priti në një takim zyrtar në ambjentet e kësaj gjykate profesorin dhe juristin e njohur, Prof. Dr. Rainer Arnold, Shef i Katedrës së të Drejtës Publike dhe të Krahasuar dhe Shef i Katedrës Jean Monnet për të Drejtën Evropiane, pranë Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Regensburgut, Gjermani.
Fillimisht, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Z. Bashkim Dedja, bëri një prezantim të strukturës, mënyrës së organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, duke evidentuar në të njëjtën kohë edhe problemet e sfidat me të cilat përballet ky institucion. Më pas, pjesëmarrësit në takim shkëmbyen ide dhe përvoja duke u fokusuar në aspektet e ngjashme dhe dallimet në sferën e juridiksionit kushtetues të të dyja vendeve.
Gjatë takimit, në të cilin merrte pjesë edhe Znj. Nertila Mosko, përfaqësuese e Fondacionit “Hanns Seidel” në Shqipëri, një rëndësi e veçantë iu kushtua bashkëpunimit shumë të mirë dhe të vazhdueshëm që Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka me këtë Fondacion, pjesë e të cilit ishte dhe ftesa dhe vizita e Prof. Arnold në Shqipëri. Në fund të takimit, Z. Dedja e njohu profesorin gjerman edhe me ambjentet e Gjykatës Kushtetuese, sallën ku zhvillohen seancat e gjykimit, sallën e mbledhjeve të gjyqtarëve etj.
Në vazhdim të vizitës së Prof. Dr. Rainer Arnold në Shqipëri, në datën 12.10.2011, në ambjentet e Hotel Rogner, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Fondacioni Gjerman “Hanns Seidel” organizuan një seminar të përbashkët dy temat kryesore të të cilit ishin: “Koncepti i të drejtave themelore në të drejtën kushtetuese gjermane” dhe “Karlsruhe, Strasburg dhe Luksemburg: Bashkëpunim juridik apo konkurrencë?”, me pjesëmarrjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ të kësaj gjykate. Në fillim të aktivitetit përshëndeti Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Z. Bashkim Dedja, i cili vlerësoi angazhimin e Prof. Arnold për organizimin e këtij seminari, si dhe falenderoi fondacionin “Hanns Seidel” në Shqipëri për bashkëpunimin e deritanishëm me Gjykatën Kushtetuese dhe mundësimin e vizitës së akademikut gjerman në Shqipëri.
Temat kryesore të seminarit u trajtuan gjerësisht nga Prof. Dr. Ranier Arnold, i cili bëri një prezantim të të drejtave themelore të individit në të drejtën kushtetuese gjermane, duke dhëne gjatë prezantimit të tij dhe shembuj të evoluimit të të drejtës kushtetuese gjermane në këtë drejtim, si dhe të trajtimit në praktikë të çështjeve të veçanta.Gjithashtu, gjatë seminarit pati dhe një ndërhyrje të Z. Bashkim Dedja, i cili paraqiti në mënyrë të përmbledhur dispozitat kushtetuese shqiptare që trajtojnë të drejtat themelore të individëve. Temat e diskutuara ngjallën mjaft interes, veçanërisht nga perspektiva e Gjykatës Kushtetuese si institucioni që mbron dhe garanton mbrojtjen e të drejtave themelore dhe kushtetuese të individit, si dhe aspiratat e shtetit shqiptar për integrimin e tij në struktrurat euroatlantike.
Pjesëmarrësit në seminar, në vazhdim, diskutuan dhe shkëmbyen përvojat respektive në lidhje me temat e trajtuara nga lektori.