Në datën 8 nëntor 2024, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë organizoi aktivitetin me temë “Diskutimi i projekt Kodit të Etikës për punonjësit e administratës dhe njësisë së shërbimit ligjor të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.” Në këtë aktivitet merrnin pjesë Kabineti i Kryetarit të Gjykatës, Sekretari i Përgjithshëm, këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor, punonjësit e administratës së Gjykatës Kushtetuese, si dhe përfaqësues të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilët ndanë përvojën e tyre në procesin e hartimit të këtij kodi, duke ndihmuar edhe me sugjerimet e tyre të vlefshme.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Sekretarëve të Përgjithshëm të të dyja gjykatave, duke vijuar më pas me një prezantim të detajuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të rëndësisë, parimeve, metodologjisë së ndjekur dhe bazës ligjore mbi të cilat është mbështetur hartimi i këtij projekt Kodi.
Gjatë aktivitetit u vijua me diskutimin e dispozitave të projekt Kodit, ku palët pjesëmarrëse shprehën mendimet dhe idetë e tyre, të cilat do të reflektohen në draftin përfundimtar që do t’i përcillet për miratim Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.