| Bookmark and Share

Aktivitet i përbashkët midis Gjykatave Kushtetuese dhe të Larta të Shqipërisë dhe Kosovës

Konferencë e përbashkët

ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, si dhe Gjykatës Supreme të Kosovës

Prishtinë, Kosovë 14 dhjetor 2023

Konferenca me temë: “ Ekuilibri ndërmjet kontrollit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, kufijtë e juridiksionit dhe qasja në drejtësi” ka mbledhur së bashku në Prishtinë, në datën 14 dhjetor 2023, gjyqtarët e Gjykatave Kushtetuese dhe të Larta të Shqipërisë dhe Kosovës.

Konferenca u hap me fjalët përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Gresa Caka-Nimani, të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, të Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, z. Sokol Sadushi, të Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Fejzullah Rexhepi, të Ambasadorit të Gjermanisë në Kosove, SH.T.Z. Jörn Rohde, të Ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, SH.T.Z. Petrit Malaj, si dhe të Drejtuesit të Seksionit për Shqipërinë të Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar IRZ, z. Frank Hupfeld.

Gjatë panelit të parë të punimeve të kësaj konference, përfaqësuesit e gjykatave pjesëmarrëse shkëmbyen përvojat respektive lidhur me ushtrimin e juridiksionit të gjykatave të rregullta kur ato përballen me çështjet e kushtetutshmërisë gjatë vendimmarrjes së tyre, si dhe lidhur me juridiksionin e gjykatave kushtetuese për sa i përket interpretimit arbitrar të ligjit të bërë nga gjykatat e rregullta, divergjencës gjyqësore, arsyetimit të vendimeve gjyqësore.

Punimet e panelit të dytë u fokusuan në qasjen në drejtësi, dhe pikërisht tek aktet e autoriteteve publike që i nënshtrohen kontrollit të ligjshmërisë dhe/ose kushtetutshmërisë: vendimet e Parlamentit, vendimet dhe aktet nënligjore të Qeverisë, dekretet e Presidentit, si dhe vendimet gjyqësore të gjykatave.

Në këtë konferencë, gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Elsa Toska dhe znj. Marsida Xhaferllari prezantuan perspektivën e kësaj gjykate në zbatim të parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Konferenca e përbashkët u realizua me mbështetjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar IRZ.

14 14 14

  14 14 14

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.