Në datën 19 nëntor 2021 është zhvilluar tryeza e rrumbullakët me temë “Juridiksioni kushtetues dhe juridiksioni gjyqësor – vija ndarëse ndërmjet tyre. Si krijohen, zhvillohen dhe ndryshohen standardet kushtetuese në aspektin procedural”, si një aktivitet i përbashkët midis Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, i mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Hanns Seidel, zyra në Tiranë.
Në këtë aktivitet, i cili u hap me fjalët përshëndetëse të znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, z. Sokol Sadushi, Zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë dhe znj. Nertila Mosko, përfaqësuese e Fondacionit Hanns Seidel – drejtuese e zyrës në Tiranë, morën pjesë gjithë trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe përfaqësues e këshilltarë ligjorë nga të dyja gjykatat.
Gjatë takimit pati referime nga znj. Marsida Xhaferllari, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese dhe z. Sokol Sadushi, Zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë, të cilat u pasuan nga diskutime mes gjyqtarëve dhe përfaqësuesve të tjerë lidhur me çështjet për ndarjen e juridiksioneve, problematikat e evidentuara, rastet praktike, evoluimin e standardeve, antikushtetutshmërinë dhe paligjshmërinë e akteve normative, etj.
Në përfundim, palët shprehën dëshirën dhe gatishmërinë për të vazhduar me organizimin e aktiviteteve të këtij lloji, me qëllim rritjen e bashkëveprimit midis institucioneve dhe krijimin e platformave të nevojshme për shkëmbimin e ideve dhe praktikave respektive.