| Bookmark and Share

Aktivitete të përbashkëta midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, 29 shtator – 1 tetor 2021.

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, edhe me rastin e zgjedhjes së kryesisë së re të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, një delegacion i kësaj gjykate, i kryesuar nga znj. Gresa Caka – Nimani, Kryetare, dhe i përbërë nga trupa e gjyqtarëve të kësaj gjykate,  Sekretari i Përgjithshëm dhe përfaqësues të tjerë të stafit administrativ, po zhvillon një vizitë pune me aktivitete të përbashkëta dy ditore pranë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të kësaj vizite, në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, në datën 29 shtator 2021, është bërë nënshkrimi i Marrëveshjes së re për Bashkëpunimin Reciprok dhe Ndihmën e Ndërsjellë në Fusha me Interes të Përbashkët midis Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Në vijim të bashkëpunimit të mëparshëm, kjo marrëveshje e re bashkëpunimi manifeston dëshirën dhe vullnetin për të vazhduar edhe më tej programet e bashkëpunimit, për të ndarë së bashku njohuritë dhe përvojat, përfshirë praktikat më të mira europiane të së drejtës kushtetuese dhe atë të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe për të forcuar kapacitetet institucionale dhe rritur cilësinë e vendimeve.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe zoti Haxhi Bajraktari, i Ngarkuar me Punë i Përkohshëm në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë.

Në vijim, në datën 30 shtator 2021, më mbështetjen edhe të Fondacionit ‘Hanns Seidel’, u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë: “Mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore – praktikat respektive sipas jurisprudencës kushtetuese”. Gjatë kësaj tryeze pati referime të përvojave përkatëse nga gjyqtaret Fiona Papajorgji, Selvete Gërxhaliu – Krasniqi dhe Elsa Toska, si dhe u shkëmbyen idetë dhe opinionet e gjyqtarëve të të dyja gjykatave lidhur me aspekte të veçanta të gjykimit kushtetues në këtë fushë.

Po ashtu, në përfundim të takimit, gjyqtarët diskutuan për tematika të tjera me interes të cilat mund të trajtohen në të ardhmen, në funksion të evidentimit të veçorive dalluese dhe elementëve të përbashkët, të pasurimit të jurisprudencave respektive, si dhe përmirësimit të vazhdueshëm të veprimtarisë vendimmarrëse.

 

        29                29

                             29

29    29   29

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.