| Bookmark and Share

Aktiviteti i 12-të i Nënkomitetit të Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë.

Nënkomiteti i Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, po zhvillon në datat 30 qershor -1 korrik 2020, takimin e tij të dymbëdhjetë në të cilin marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga institucione të ndryshme në fushën e drejtësisë, si dhe ekspertë në fushën e të drejtave themelore.
Gjatë ditës së parë të këtij aktiviteti u zhvilluan dy panele lidhur me reformën në drejtësi dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut, me raportime, diskutime dhe pyetje nga palët pjesëmarrëse lidhur me situatën aktuale në Shqipëri.
Përfaqësuese e institucionit të Gjykatës Kushtetuese në këtë aktivitet ishte zonja Fiona Papajorgji, anëtare në Gjykatën Kushtetuese dhe njëkohësisht anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në fjalën e saj, Zonja Papajorgji bëri një prezantim të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese gjatë kësaj periudhe, të situatës në lidhje me emërimet e anëtarëve të rinj në këtë Gjykatë, duke theksuar rëndësinë që ka bërja funksionale sa më shpejt e Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të individëve dhe forcimin e shtetit të së drejtës, si edhe të zhvillimeve më të fundit në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që ajo mbart në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.