| Bookmark and Share

Aktiviteti i 13-të i Nënkomitetit të Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë.

Nënkomiteti i Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë po zhvillon në datat 9 – 10 dhjetor 2021, takimin e tij të trembëdhjetë në të cilin marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga institucione të ndryshme në fushën e drejtësisë, si dhe ekspertë në fushën e të drejtave themelore.

Gjatë ditës së parë të këtij aktiviteti po organizohen dy panele lidhur me reformën në drejtësi dhe të drejtat e liritë themelore të njeriut me raportime, diskutime dhe pyetje nga palët pjesëmarrëse lidhur me situatën aktuale në Shqipëri. Përfaqësuese e institucionit të Gjykatës Kushtetuese në këtë aktivitet është zonja Fiona Papajorgji, anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Në prezantimin e bërë nga përfaqësuesit e delegacionit të BE-së u evidentua mirëfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, çka u përforcua edhe nga gjyqtarja Papajorgji, e cila në prezantimin e saj u fokusua tek situata aktuale lidhur me ngarkesën e çështjeve dhe përpjekjet maksimale të punës voluminoze që është bërë për përfundimin e gjykimit në një kohë sa më të shkurtër të çështjeve të prapambetura, rritjen e transparencës, si edhe të zhvillimeve më të fundit në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që ajo mbart në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.