| Bookmark and Share

Ceremonia e finalizimit të Dokumentit të parë Strategjik të Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zhvilloi sot, në ambientet e Hotel Rogner, Tiranë, ceremoninë zyrtare të finalizimit të Dokumentit të Parë Strategjik të saj.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Vitore Tusha, dhe anëtarët e kësaj gjykate, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Vincenzo Del Monaco, si dhe Drejtuesi i Zyrës për Shqipërinë i Fondacionit gjerman Konrad Adenauer, Dr. Tobias Rüttershoff.
Kjo ceremoni u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila, në emër të Gjykatës, shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për organizimin dhe realizimin e kësaj veprimtarie që është konkretizim i bashkëpunimit të frytshëm dhe të suksesshëm mes Gjykatës Kushtetuese, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Fondacionit Konrad Adenauer.
Kjo ceremoni prezantimi e Planit Strategjik është finalizimi i një procesi që ka përfshirë tryeza e takime pune të njëpasnjëshme në mënyrë që të pasqyrohen të plota e të mirëformulohen të gjitha nevojat dhe problematikat institucionale të evidentuara gjatë viteve, si dhe hapat ose masat që duhen ndërmarrë për realizimin apo përmirësimin e tyre, nënvizoi Kryetarja Tusha.
Zonja Tusha tha se “për herë të parë Gjykata Kushtetuese do ta orientojë dhe do ta bazojë veprimtarinë e saj në një dokument strategjik disavjeçar, të plotë, të detajuar dhe tepër angazhues, duke u përshtatur sigurisht, me kërkesat e kohës. Ky dokument është një udhërrëfyes institucional për të arritur standarde edhe më të larta në përmbushjen e misionit për dhënien e drejtësisë kushtetuese me integritet dhe besueshmëri të lartë.Nëpërmjet këtij plani, Gjykata angazhohet të përmirësojë teknologjinë e menaxhimit të çështjeve, të rrisë kapacitetet njerëzore për shqyrtim me cilësor e efikas të çështjeve në respektim të afateve ligjore, të ndërmarrë hapa për të rritur aksesin e publikut në Gjykatë, si dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tek Gjykata"
Në vijim, fjalën e mori kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Vincenzo Del Monaco, i cili shprehu kënaqësinë e të qenit i pranishëm në prezantimin e një dokumenti tejet të rëndësishëm, siç është strategjia disavjeçare e Gjykatës, çka dëshmon se Zyra e Prezencës së OSBE-së mbështet dhe bashkëpunon për mirëfunksionimin e veprimtarisë së këtij institucioni. Ambasadori Vincenzo Del Monaco e cilësoi hartimin e Strategjisë dhe Planit të veprimit si “një formë unike të mbështetjes institucionale për Gjykatën Kushtetuese” që do të udhëheqin dhe orientojnë iniciativat dhe përpjekjet në vitet në vijim për këtë institucion me të vërtetë të respektuar të demokracisë shqiptare. Po ashtu, Ambasadori risolli në vëmendje rëndësinë që ka në kuadër të këtij bashkëpunimi edhe nënshkrimi një javë më parë i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Zyrës së Prezencës së OSBE-së me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, drejtuesi i Zyrës për Shqipërinë i Fondacionit gjerman KonradAdenauer, Dr. Tobias Rüttershoff, vuri në dukje bashkëpunimin disa vjeçar me Gjykatën Kushtetuese dhe shprehu kënaqësinë për ribërjen funksionale të kësaj gjykate, dhe “për mundësinë e vënies në praktikë të asaj çka kemi diskutuar së bashku gjatë këtyre viteve”. “Për shkak të ndikimit të saj të madh në garantimin e demokracisë dhe barazisë ligjore, vitin e kaluar ne bashkuam forcat me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për të mbështetur Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë në procesin e saj të reformimit dhe veçanërisht në hartimin e një plani strategjik afatgjatë për gjykatën për të rritur llogaridhënien, efiçencën dhe transparencën”, tha Dr. Rüttershoff.
Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, z. Eugen Papandile, prezantoi në mënyrë të përmbledhur objektivat strategjike dhe specifike që përmban kjo strategji, si dhe elementet më thelbësore të Planit të Veprimit.
Ceremonia e finalizimit të Dokumentit të Parë Strategjik të Gjykatës Kushtetuese u mbyll me fjalët përshëndetëse të anëtarëve të kësaj gjykate, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për gjithë aktorët që inkurajuan, mbështetën dhe realizuan këtë dokument të rëndësishëm, si dhe angazhimin maksimal për të përmbushur me sukses të gjitha synimet dhe objektivat e parashikuara në të. 
 
Linku ku mund te ndiqet kjo ceremoni https://fb.watch/518APUYM8w/

img_9112 img_9154

img_9131 img_9128

img_9160 img_9168

img_9175 img_9172

img_9184 img_9185

img_9116 img_9110

foto

   

 

 

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.