| Bookmark and Share

Deklaratë për shtyp

Gjykata Kushtetuese

Deklaratë për shtyp

8 Dhjetor 2023

Në datën 07.12 2023, gjatë transmetimit të emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan, është diskutuar në lidhje me një vendimmarrje të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke përdorur aludime fyese dhe jo etike ndaj gjyqtarëve të saj nga pala në proces dhe përfaqësuesi i tij ligjor.

Gjykata Kushtetuese e dënon me forcë çdo sjellje korruptive në sistemin e drejtësisë dhe për këtë arsye po përgatit dhe do të dorëzojë ditën e hënë, në organet kompetente, kallëzimin penal për përfaqësuesin ligjor të palës në proces, si dhe do të kërkojë fillimin e procedimit të tij disiplinor nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Gjykata Kushtetuese shpreh shqetësimin se të tilla akte cenojnë rëndë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, pavarësinë e tyre, si edhe besimin e publikut ndaj Gjykatës. Gjykata fton të gjithë qytetarët të mos bien pre e premtimeve, aludimeve ose deklaratave të paligjshme të avokatëve dhe të ndihmojnë drejtësinë, duke mos u bërë pjesë e skemave korruptive.

Gjykata Kushtetuese respekton dhe mbështet rolin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut dhe mbështet misionin e saj për evidentimin e rasteve të korrupsionit. Njëkohësisht, Gjykata Kushtetuese thekson se media duhet të tregojë vetëpërmbajtje në opinionet dhe konkluzionet e saj bazuar në informacionet e paverifikuara, të cilat cenojnë rëndë reputacionin e gjyqtarëve dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese thekson se dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje ose paragjykimi, çka është kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës .

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.