| Bookmark and Share

Konferencë Ndërkombëtare me rastin e 30-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, me rastin e 30-Vjetorit të krijimit të saj, organizoi në datat 20 – 21 tetor 2022, Konferencën Ndërkombëtare me temë “Roli i Gjykatës Kushtetuese në Demokracitë e Reja”.

Ky aktivitet i rëndësishëm, i cili mblodhi së bashku kryetarë dhe përfaqësues nga 22 gjykata kushtetuese evropiane dhe gjykata të juridiksioneve të tjera u organizua në bashkëpunim me Fondacionin “Hanns-Seidel” si dhe Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri .

Konferenca i çeli punimet e saj me fjalën përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese zonja Vitore Tusha e cila në fjalën e saj u shpreh se “Sot Gjykata ecën e sigurt mbi trasenë e shtruar pak nga pak, por solide, të parimeve kushtetuese të shtetit të së drejtës, me vullnetin për të zbatuar me konsistencë jurisprudencën e konsoliduar kushtetuese, si dhe zhvillimin e saj në përputhje me standardet më të mira. Përmes vendimmarrjes, ajo ka arritur jo vetëm të përcaktojë qartë pozicionin e saj në raport me organet e tjera të pushtetit, por edhe të kontribuojë në edukimin e shoqërisë dhe të institucioneve.”

Evenimenti u përshëndet dhe nga personalitetet më të larta të shtetit shqiptar: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, SH.S.Znj. Lindita Nikolla, Kryeministri i Shqipërisë, SH.T.Z. Edi Rama, si dhe nga përfaqësuesit e mbështetjes dhe partneritetit strategjik, Ambasadorja e SHBA-së SH.S.Znj. Yuri Kim, Ambasadorja e delegacionit të BE-së SH.S.Znj. Christiane Hohmann, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, SH.T.Z. Vincenzo Del Monaco, Drejtori rajonal për Evropën Juglindore i Fondacionit “Hanns-Seidel”, z. Klaus Fiesinger.

Gjithashtu, Konferencën e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe personalitete të larta dhe krerë të institucioneve të pavarura, si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Konferenca u organizua në tre panele kryesore, prezantimet dhe diskutimet e të cilave u fokusuan në këto nën-çështje: 1. Dialogu ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe ndikimi i tij në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave dhe lirive kushtetuese. 2. Jurisprudenca kushtetuese si garanci në konsolidimin e shtetit të së drejtës. 3. Roli i drejtësisë kushtetuese në zhvillimin e vlerave themelore të shoqërisë.

Panelet u moderuan përkatësisht nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Prof. Asoc. Dr. Fehmi Abdiu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Prof. Dr. Enver Hasani, si dhe nga zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë Prof. Dr. Sokol Sadushi, i cili është njëkohësisht dhe ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Në çdo sesion kishte fjalime kryesore të ndjekura nga pyetje duke zgjeruar debatin dhe përfshirë një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish. Ndër folësit në Konferencën Ndërkombëtare ishin Prof. Georg Lienbacher, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Austrisë, z. Darian Pavli, gjyqtari për Shqipërinë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Dr. Vitorio Teotonico, profesor i së Drejtës Publike në Universitetin e Barit, Itali, znj. Hanne Sophie Greeve, ish-gjyqtare në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për Norvegjinë, Prof. Dr. Afonso Nunes Figueiredo Patrão, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Portugalisë, Dr. Viktor Gorodovenko, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Ukrainës, Prof. Nicolò Zanon, Nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Italisë, znj. Gresa Caka-Nimani, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Dr. Anëar Usman, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Indonezisë, Prof. Asoc. Përparim Kabo, Dekan i Shkencave Psikologjike, Sociale dhe Politike, në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, si dhe gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Dr. Fiona Papajorgji dhe Znj. Marsida Xhaferllari.

Aktiviteti u pasua nga programi social, i cili ju dha mundësinë pjesëmarrësve të njihen me historinë, traditat dhe bukuritë natyrore të vendit tonë.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.