| Bookmark and Share

Kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve të kërkuara nga gjykatat (Kontroll incidental)

Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenin 70/1 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizmin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” njofton se është nën shqyrtimin e saj kërkesa e Gjykatës së Lartë, me objekt: “Vlerësimi nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë i pajtueshmërisë me Kushtetutën të dispozitave të neneve 16 dhe 18 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” (i ndryshuar), në pjesët si më poshtë:
- në nenin 16, pika 1, shkronja “c”, pjesa (fraza) si vijon:
“... apo ish-komisionit vendor për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish pronarëve”.

 - në nenin 16, pika 1, shkronja “ç”:
 “mund të shqyrtojë, me nismën e vet, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark apo ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish komisionet e rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish pronarëve.

 - në nenin 16, pika 1, paragrafi i fundit, pjesët e nënvizuara si vijon:
 “në zbatim të përgjegjësive të veta për kompensimin, zgjidhjen e ankimeve dhe shqyrtimin kryesisht të vendimeve të dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark apo ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ish-komisionet e rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish pronarëve, Drejtori i përgjithshëm i AKKP-së shprehet me vendim.”

 - në nenin 18, pika 1, pjesët e nënvizuara si vijon:
 “1. Kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të zyrës rajonale të AKKP-së në qark, subjekti i shpronësuar ose Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë ankim, brenda 30 ditëve nga njoftimi i këtij vendimi, në zyrën e AKKP-së në qendër. Kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish pronarëve, subjekti i shpronësuar ose Avokatura e Shtetit kanë të drejtë të bëjnë ankim në zyrën e AKKP-së në qendër ...
 Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së ka të drejtë të shqyrtojë kryesisht, brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit, vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së në qark. Drejtori i përgjithshëm shqyrton dhe vendimet e dhëna nga ish-komisionet vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave si dhe ish-komisionet e rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve. Pas shqyrtimit kryesisht ose shqyrtimit të ankimit, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së vendos:
 .........................
 ........................
 Kundër vendimit për lënien në fuqi të vendimit të AAKKP-së së zyrës rajonale, ankimi kryhet pranë gjykatës së rrethit në territorin e qarkut ku ka vendodhjen zyra rajonale e AKKP-së së qarkut dhe mbrojtja e interesave të AKKP-së kryhet nga zyra rajonale e AKKP-së së qarkut. Kur vendimi zgjidh çështjen në themel, ankimi kryhet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë dhe AKKP-ja përfaqësohet në gjykim nga zyra e AKKP-së në qendër ....”.  

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.