| Bookmark and Share

NJOFTIM

1. Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve kërkesën e Gjykatës së Apelit Tiranë ( sot Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm), për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 11, pika 4, të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë” ( ligji nr. 9754/2007). Kjo dispozitë parashikon: “ Në varësi të llojit të veprës penale zbatohen dënimet me gjobë, si më poshtë: a) për krimet që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, minimumi, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet burgim ose burgim i përjetshëm, personi juridik dënohet me gjobë nga 25 milionë lekë deri në 50 milionë lekë; b) për krime që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, minimumi, jo më pak se shtatë vjet deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim, personi juridik dënohet me gjobë nga 5 milionë lekë deri në 25 milionë lekë; c) për krime që, sipas Kodit Penal, parashikohet një dënim, maksimumi, më pak se shtatë vjet, personi juridik dënohet me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.”.

2. Lidhur me legjitimimin e gjykatës së apelit (gjykata referuese), Gjykata me shumicë votash vlerësoi se ajo i plotëson kriteret e nenit 145, pika 2, të Kushtetutës dhe të jurisprudencës kushtetuese, për vënien në lëvizje të kontrollit incidental, duke evidentuar, ndër të tjera, se parimet dhe të drejtat themelore të parashtruara, në thelb, janë të tilla që vlejnë edhe për personin juridik, sipas nenit 16, pika 2, të Kushtetutës.

3. Lidhur me themelin e kërkesës, Gjykata i shqyrtoi pretendimet për cenimin e parimeve të proporcionalitetit, të drejtësisë, të ligjshmërisë, të sigurisë juridike dhe të barazisë përpara ligjit, në këndvështrim të së drejtës kushtetuese të mosdënimit pa ligj, të garantuar nga neni 29 i Kushtetutës, si rrjedhojë e paqartësisë së normës ligjore. Gjykata vlerësoi se pretendimet janë të pabazuara, me arsyetimin se, ndonëse në dukje neni 11, pika 4, i ligjit nr. 9754/2007 ka një lloj paqartësie, në thelb, ajo nuk është e tillë që të barazohet me mungesën e ligjit që cakton dënimin penal me gjobë për personat juridikë. Paqartësia në fjalë zgjidhet me anë të interpretimit gjyqësor nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, në ushtrim të rolit dhe funksionit të tyre kushtetues.

4. Lidhur me pretendimet për cenimin e së drejtës së pronës private dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike, të garantuara respektivisht nga nenet 41 dhe 11 të Kushtetutës, Gjykata konkludoi se këto pretendime janë të pabazuara, pasi garantimi i tyre ndërvarej nga vlerësimi i kushtetutshmërisë së dispozitës ligjore në raport me të drejtën e mosdënimit pa ligj.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në bazë të neneve 131, pika 1, shkronja “a”, 134, pika 1, shkronja “dh” dhe pika 2, 145, pika 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 68, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.