| Bookmark and Share
Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

NJOFTIM

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ( Gjykata), në datën 10.10.2023, në çështjen nr. 8 (Nj) 2022, të paraqitur nga një grup prej 36 deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë (jo më pak se një e pesta e deputetëve), me objekt shfuqizimin e ligjit nr. 50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peisazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, si i papajtueshëm me Kushtetutën, mori në shqyrtim një grup kërkesash procedurale të paraqitura nga kërkuesi gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje.

1. Në seancën plenare publike të zhvilluar në datën 04.10.2023, kërkuesi paraqiti kërkesë për marrjen nga Gjykata të mendimit amicus curia nga Komiteti Juridik i UNESCO-s në lidhje me përputhshmërinë e ligjit nr. 50/2022 me Konventën e Parisit, duke e bazuar këtë kërkesë në karakterin kompleks dhe delikat të kësaj çështjeje, si dhe duke parashtruar edhe pyetjen që do t`i drejtohet këtij organi ( kërkesa e parë). Ai ka kërkuar, gjithashtu, që në alternativë ose njëkohësisht të kërkohet nga Qendra e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s vënia në dispozicion e Raportit të Misionit të UNESCO-s sapo të finalizohet dhe të jetë e mundur të shpërndahet. Në përfundim të kësaj seance, Gjykata u la palëve kohë deri në datën 06.10.2023 për të paraqitur me shkrim edhe kërkesat për marrje të provave, në formën e kërkuar nga ligji.

2. Në datën 06.10.2023, kërkuesi ka paraqitur para Gjykatës disa kërkesa:

2.1. Kërkesë për të mos marrë në konsideratë, në cilësinë e provës, dokumentin “Mendim ligjor eksperti”, të dy profesorëve të Universitetit të Gjenevës, i paraqitur nga subjekti i interesuar Fondacioni për Menaxhimin e Butrinit ( FMB) ( kërkesa e dytë).

2.2. Kërkesë për vënien në dispozicion në cilësinë e provave për të gjitha palët në procesin kushtetues, të dokumenteve të referuara gjatë parashtrimeve të tyre nga subjektet e interesuara, si dhe të disa provave të rikërkuara, si vijon: 1) Vendimin për ndryshimin e Bordit të Drejtorëve të FMB-së dhe procesin dokumentar të bërë për këtë vendim; 2) Dosjen përzgjedhëse të kandidatit Richard Hodges nga Ministria Kulturës; 3) Shkresën e znj. Elva Margariti drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit ku shpreh garancitë se ata mund të auditojnë Butrintin; 4) Marrëveshjen e vitit 20002 ose 2003 midis qeverisë shqiptare dhe AADF-së, që lidhet me përfshirjen e saj në Butrint; 5) Kontratën e datës 06.09.2023 midis FMB-së dhe arkitektit japonez për projektin e Qendrës së Vizitorëve; 6) Raportin e Misionit të UNESCO-s në Shqipëri i tetorit 2023; 7) Procesverbalin e takimit të datës 15.02.2023 mes Kryeministrit dhe Drejtoreshës së Përgjithshëm të UNESCO-s që lidhet me Butrintin dhe/ose çdo komunikim tjetër që lidhet me këtë takim; 8) Procesverbalin e takimit të datës 15.02.2023 mes ministres së Kulturës dhe Drejtoreshës së Përgjithshëm të UNESCO-s që lidhet me Butrintin dhe/ose çdo komunikim tjetër që lidhet me këtë takim; 9) Komunikimet midis organizmave të UNESCO-s, gjegjësisht të Misionit Këshillimor të UNESCO-s për Butrintin, me përfaqësues të shtetit shqiptar gjatë periudhës kohore 20-30 tetor 2022 (Misioni i UNESCO-s për Butrintin i përbërë nga përfaqësues të World Heritage Center dhe ICOMOS) ( kërkesa e tretë).

2.3. Kërkesë për zbatimin e vendimit të ndërmjetëm të Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 11.07.2023 dhe marrjen e materialeve (provave) të domosdoshme për gjykimin kushtetues, duke argumentuar që të evidentohet nga subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, se cila shkresë apo e-mail zyrtar përmban informacionet e dërguar UNESCO-s dhe komentet e kësaj të fundit për disa pika thelbësore në lidhje me zbatimin e Konventës së Parisit, duke identifikuar edhe informacionin përkatës ( kërkesa e katërt).

2.4. Kërkesë për zëvendësimin e subjektit të interesuar FMB-së me subjektin e ri të interesuar Fondacioni Amerikan për Zhvillim (AADF) ( kërkesa e pestë).

3. Për sa më lart, Gjykata vlerëson se:

3.1. Në lidhje me kërkesën e parë, të paraqitur në seancën plenare të datës 04.10.2023, për kërkimin e opinionit amicus curia nga organizmat e UNESCO-s, ashtu si edhe në lidhje me pikën 6 të kërkesës së tretë, që ka të bëjë me kërkimin e raportit të Misionit të UNESCO-s në Shqipëri të vitit 2023, rezervon të drejtën të shprehet në një moment të mëvonshëm, pasi të marrë në shqyrtim edhe provat e tjera të kërkuara, vendim për të cilin do të njoftojë edhe palët në gjykim.

3.2. Në lidhje me kërkesën e dytë, për mosmarrjen në cilësinë e provës të dokumentit “Mendim ligjor eksperti”, të paraqitur nga subjekti i interesuar FMB-ja, ky dokument nuk përbën provë ligjore në kuptim të ligjit, por është pjesë e shpjegimeve dhe prapësimeve të paraqitura në seancë plenare nga ky subjekt i interesuar, ndaj ajo është e pabazuar.

3.3. Në lidhje me kërkesën e tretë:

3.3.1. Të pabazuar pikën 1, pasi subjekti i interesuar FMB-ja, me shkresën e datës 06.10.2023, ka paraqitur vendimin nr. 858/3, datë 25.09.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për depozitimin në regjistrin e Fondacionit të vendimit nr. 15, datë 21.07.2023 të Bordit Drejtues të FMB-së, dokument që është vënë në dispozicion të palëve nga administrata e Gjykatës.

3.3.2. Të pabazuar pikën 2, pasi siç ka vlerësuar edhe në vendimin e ndërmjetëm të datës 11.07.2023, aktet pjesë e dosjes përzgjedhëse të kandidatit Richard Hodges dhe kjo procedurë në tërësi, lidhet me zbatimin e ligjit, për rrjedhojë del jashtë objektit të këtij gjykimi kushtetues.

3.3.3. Të bazuar pikën 3, duke i kërkuar subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, të vërë në dispozicion të Gjykatës shkresën e znj. Elva Margariti drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku shprehet garancia se ata mund të auditojnë Butrintin.

3.3.4. Të pabazuar pikën 4, pasi referuar parashtrimeve të subjektit të interesuar, FMB-së, nuk rezulton që të jetë përmendur një marrëveshje e vitit 20002 ose 2003, ndërkohë që nga aktet rezulton jo vetëm se AADF-ja është krijuar në vitin 2009, por edhe se me shkresën e datës 06.10.2023, subjekti i interesuar FMB-ja ka paraqitur memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, i miratuar në parim me VKM-në nr. 392, datë 07.06.2011, dokument që është vënë në dispozicion të palëve nga administrata e Gjykatës.

3.3.5. Të pabazuar pikën 5, pasi kontrata e lidhur midis FMB-së dhe arkitektit japonez për projektin e Qendrës së Vizitorëve nuk ka lidhje me objektin e këtij gjykimi kushtetues.

3.3.6. Të pabazuar pikat 7, 8 dhe 9, për paraqitjen e procesverbaleve të takimeve të përfaqësuesve të shtetit shqiptar me përfaqësues të UNESCO-s që lidhen me Butrintin, pasi jo vetëm që janë kërkesa të përsëritura, por, siç ka vlerësuar edhe në vendimin e ndërmjetëm të datës 11.07.2023, qëndrimet institucionale materializohen nëpërmjet komunikimeve zyrtare dhe Këshilli i Ministrave ka vënë në dispozicion të Gjykatës dokumentet e disponueshme prej tij.

3.4. Të pabazuar kërkesën e katërt, që ka të bëjë me zbatimin e vendimit të saj të datës 11.07.2023 dhe kërkimin e informacionit konkret në lidhje me informacionet e dërguara UNESCO-s, si dhe komentet e kësaj të fundit për disa pika thelbësore në lidhje me zbatimin e Konventës së Parisit, pasi vlerëson se në thelb nuk përbën kërkesë për marrje provash por janë pyetje, të cilat çmon që t`ia dërgojë si të tilla subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, duke i lënë detyrë që t`i kthejë përgjigje deri në datën 18.10.2023.

3.5. Të pabazuar kërkesën e pestë, pasi, në thelb, ajo është kërkesë e përsëritur, e njëjtë me kërkesat paraprake të paraqitura nga kërkuesi për përjashtimin e subjektit të interesuar FMB-së dhe thirrjen në gjykim si subjekt të interesuar të AADF-së, për të cilat është vendosur rrëzimi me vendimet e ndërmjetme të datave 05.04.2023 dhe 11.07.2023.

Për sa më sipër, Gjykata,

V E N D O S I:

- Rrëzimin, njëzëri, të kërkesës së dytë.

- Rrëzimin, njëzëri, të pikës 1 të kërkesës së tretë.

- Rrëzimin, me shumicë votash, të pikës 2 të kërkesës së tretë .

- Pranimin, njëzëri, të pikës 3 të kërkesës së tretë.

- Rrëzimin, njëzëri, të pikave 4, 5, 7, 8 dhe 9 të kërkesës së tretë.

- Rrëzimin, njëzëri, të kërkesës së katërt.

- Rrëzimin, njëzëri, të kërkesës së pestë.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.