Ndahet nga jeta ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, z.Alfred Karamuço
Është ndarë nga jeta në moshën 69 vjeçare juristi i shquar dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, z.Alfred Karamuço.
Z. Alfred Karamuço u lind në Korçë, në 27.01.1943. U diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1965. Gjatë karrierës së tij profesionale z. Alfred Karamuço ka ushtruar profesionin e juristit në organet e prokurorisë dhe në Byronë Juridike pranë Këshillit të Ministrave si dhe ka qenë lektor pranë Akademisë së Rendit Publik.
Në qeverinë e parë pluraliste ka pasur detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (anëtar qeverie) dhe më pas të zëvendëskryetarit të këtij organi.
Në vitet 1995-2007 z.Alfred Karamuço ka ushtruar funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, detyrë të cilën e ka kryer me përkushtim dhe profesionalizëm.
Me ndarjen nga jeta të z. Alfred Karamuço, drejtësia shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të shquar. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e njeriut të dashur.