Sot, në datën 7 dhjetor 2023, në ambientet e Gjykatës Kushtetuese nënshkruhet marrëveshja e grantit mes Departamentit Federal të Zvicrës, përfaqësuar nga Ambasada e Shtetit Zviceran, dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës të Shqipërisë, në kuadër të Projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”. Nënshkrimi i Marrëveshjes së grantit për palën zviceriane u bë nga Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, dhe për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë nga Kryetarja e kësaj gjykate, znj. Holta Zaçaj.
Kjo marrëveshje vjen në kuadër të masave të ndërmarra nga Gjykata Kushtetuese për mbështetjen e disa prej projekteve të saj nga donatorë të ndryshëm, në zbatim të objektivave strategjikë për forcimin e besimit në gjykatë nëpërmjet komunikimit dhe informimit të vazhdueshëm të publikut dhe medias dhe promovimit të veprimtarisë së Gjykatës, si dhe objektivit të saj për forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Përmes realizimit të kësaj marrëveshjeje, Gjykata Kushtetuese synon ndër të tjera - rritjen e kapaciteteve të saj për të sjellë të drejtën e informimit në përputhje me standardet ndërkombëtare; forcimin e marrëdhënieve të gjykatës me median dhe publikun, për një zbatim efektiv të së drejtës së publikut për informim, pra mbrojtje më të mirë të të drejtave kushtetuese të qytetarëve; zgjerimin e bashkëpunimit me gjykatat dhe palët e tjera të interesuara, në mënyrë që të përmirësohet aksesi i individëve në drejtësinë e zakonshme dhe në drejtësinë kushtetuese.