| Bookmark and Share

Njoftim për shtyp

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në seancë plenare mbi bazë dokumentesh kërkesën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën të shkronjës “d”, paragrafi i pestë, të nenit 511 të Kodit të Procedurës Civile ( KPC), sipas të cilit “ d) kur titulli ekzekutiv, për të cilin lëshohet urdhri i ekzekutimit, është akt për dhënie kredie bankare ose detyrime monetare, Gjykata duhet të parashikojë kamatat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare . Lidhur me këtë çështje, Gjykata vlerësoi sa më poshtë:

1. Shqyrtimi i pretendimit se dispozita e kundërshtuar është e papajtueshme me Direktivën 2011/7/BE qëndron jashtë juridiksionit kushtetues në kushtet kur Republika e Shqipërisë nuk i ka përmbyllur ende procedurat për integrimin në Bashkimin Evropian dhe, për rrjedhojë, kjo Direktivë nuk është pjesë e rendit juridik shqiptar.

2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuptim të nenit 145, pika 2 të Kushtetutës dhe jurisprudencës kushtetuese, legjitimohet për të vënë në lëvizje kontrollin e pajtueshmërisë me Kushtetutën dhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ( MSA) të nenit 511, paragrafi i pestë, shkronja “d” të KPC-së për pjesën që kjo dispozitë ligjore përcakton detyrimin e gjykatave për llogaritjen e kamatave ligjore edhe për kontratat bankare të kredisë konsumatore “ në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”.

3. Gjykata vlerësoi themelin e pretendimit se dispozita e kundërshtuar bie ndesh me detyrimet e Republikës së Shqipërisë që rrjedhin nga MSA-ja për mbrojtjen e konsumatorëve dhe arriti në përfundimin se ky pretendim është i pabazuar. Nuk rezultoi që Kuvendi me miratimin e nenit 511, paragrafi i pestë, shkronja “d” të KPC-së të ketë shkelur ndonjë detyrim specifik të përcaktuar nga MSA-ja. Përkundrazi ligjvënësi ka përafruar në mënyrë të pjesshme ligjin nr. 48/2014 me legjislacionin evropian. Për më tepër, MSA-ja parashikon se përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë evropian do të jetë gradual në kohë, por i plotë në përmbajtje.

4. Gjykata vlerësoi themelin e pretendimit për cenimin e të drejtës së procesit të rregullt ligjor dhe arriti në përfundimin se ky pretendim është i pabazuar. Dispozita ligjore e kundërshtuar ndonëse ndërhyn tek kjo e drejtë kushtetuese, është në përputhje me parashikimet e nenit 17 të Kushtetutës.

5. Gjykata vlerësoi themelin e pretendimit se dispozita e kundërshtuar cenon të drejtën kushtetuese të pronës private të lidhur me lirinë kontraktore, në vështrim të mënyrës që ligji përcakton detyrimin e përllogaritjes së kamatës ligjore për kontratat bankare të kredisë konsumatore. Ajo konkludoi se neni 511, paragrafi i pestë, shkronja “d” i KPC-së cenon të drejtën e pronës, duke vlerësuar se:

5.1 kamatat ligjore janë pjesë e konceptit kushtetues të pronës private;

5.2 formulimi i dispozitës së kundërshtuar detyron gjykatat që në procedurën e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit për kontratat bankare të kredisë konsumatore, që i hap rrugën ekzekutimit të detyrueshëm të tyre, të përllogarisin kamatat ligjore sipas ligjit nr. 48/2014. Në këtë mënyrë, dispozita duket se bën të zbatueshme të njëjtat rregulla ligjore për kamatat me ato të titujve ekzekutivë “kredi bankare” për qëllime të veprimtarisë tregtare, ndonëse këto dy kategori kredimarrësish janë të ndryshëm.

5.3 formulimi i dispozitës së kundërshtuar ia delegon pa përjashtim përllogaritjen e kamatave ligjore për titujt ekzekutivë “kredi konsumatore” dhe “kredi tregtare”, rregullave të ligjit nr. 48/2014, ndonëse ky i fundit shprehimisht përjashton nga fusha e zbatimit të tij detyrimet apo pagesat që rrjedhin nga kontratat me konsumatorët. Në këtë mënyrë, dispozita e kundërshtuar nuk përmbush kriterin e parashikueshmërisë të kërkuar nga parimi i sigurisë juridike në rastin e ndërhyrjeve që bën ligjvënësi në të drejtat kushtetuese, përfshi të drejtën e pronës.

6. Gjykata ripohoi se stabiliteti i sistemit bankar dhe ndërgjegjësimi i kredimarrësve për respektimin e kushteve të përcaktuara në kontratat e kredive bankare përbën interes publik për qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Kuvendi të marrë masat e duhura dhe në kohën e duhur për të rregulluar në përputhje me parimet dhe standardet kushtetuese mënyrën e përllogaritjes së kamatave ligjore në rastin e titujve ekzekutivë “kontrata bankare të kredive konsumatore”.

7. Gjykata vlerësoi se vendimi i saj duhet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare me qëllim që të mos u cenohen të drejtat kushtetuese kredimarrësve konsumatorë, të cilët janë në fazën e ekzekutimit të detyrueshëm të akteve të kredive bankare konsumatore.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “a”, 134, pikat 1, shkronja “dh” dhe pika 2, nenit 145, pika 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 68, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,

VENDOSI:

1. Të deklarojë se zbatimi i nenit 511, paragrafi i pestë, shkronja “d” i Kodit të Procedurës Civile, në shprehjen “që rregullon pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”, nuk është në përputhje me Kushtetutën në rastet e akteve për dhënie kredie bankare konsumatore.

2. Të detyrojë Kuvendin e Shqipërisë të plotësojë ligjin sipas arsyetimit të këtij vendimi brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

 

 

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.