| Bookmark and Share
Institucioni
Përbërja

[...]

Informacion me interes

Njoftim vendimmarrje

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 12.03.2024 mori në shqyrtim në seancën plenare mbi bazë dokumentesh çështjen nr. 10 (Gj) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkuese Gjykatën e Shkallës së Parë së Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, me objekt: “ Shfuqizimin e nenit 59, pika 4, fjalia e dytë, të Kodit Penal dhe neneve 22, pika 1, shkronja “b” dhe 37 të ligjit nr. 79/2020, datë 25.06.2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, në datën 03.04.2024, bazuar në nenet 131, pika 1, shkronja “a”, 134, pika 1, shkronja “dh” dhe 145 të Kushtetutës, si dhe nenet 68, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën, duke shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën fjalinë e dytë të pikës 4 të nenit 59 të Kodit Penal me përmbajtjen se “ Afati i provës fillon nga e nesërmja e shpalljes së vendimit të gjykatës që ka dhënë vendim për pezullimin e vendimit me burgim”, pasi ky parashikim ligjor nuk respekton parimin e prezumimit të pafajësisë të lidhur me parimin sigurisë juridike, si dhe të drejtën e ankimit efektiv.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.