Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, mori pjesë në Konferencën Vjetore që Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me Zyrën e Koordinatorit të Përhershëm të OKB-së në Shqipëri, organizuan sot, më datë 15 dhjetor 2023, në ambientet eHotel Rogner.
Pas fjalës së hapjes nga znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit, punimet e konferencës me temë: “ 75-vjetori i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe 25-vjetori i Kushtetutës së Shqipërisë: Evolucioni i të drejtave të njeriut në Shqipëri” u përshëndetën nga zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Ermonela Felaj, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, znj. Fiona McCluney, si dhe nga Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Giulia Re.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja Zaçaj, ndër të tjera, u shpreh se “... ne festojmë sot Deklaratën dhe i bëjmë homazh atyre që kanë përdorur peshën e saj të jashtëzakonshme në luftën për liri, pavarësi, barazi dhe drejtësi, për një botë me dinjitet për të gjithë ata që i përkasin familjes njerëzore. ... Të drejtat e njeriut nuk janë thjesht fjalë në letër, por janë norma juridike universale të zbatueshme. Ato janë themeli i paqes dhe shënojnë rrugën drejt një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për sot, për ne dhe për brezat që do të vijnë. ...”
Punimet e konferencës u zhvilluan në dy panele, në të cilat u diskutuan respektivisht, (1) nevojat për interpretim të Kushtetutës dhe hapat për përmirësime legjislative, si dhe (2) roli i agjencive të Kombeve të Bashkuara që prej premtimit të të Drejtave të Njeriut 75 vite më parë, tek arritjet dhe sfidat aktuale.