Në kuadër të projektit “Rritja e transparencës dhe aksesit në drejtësinë kushtetuese”, mbështetur nga Konfederata Zvicerane nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, kanë organizuar një seri tryezash bashkëbisedimi me gjyqtarë të gjykatave të niveleve të ndryshme në vend për prezantimin e udhërrëfyesit të parë të jurisprudencës së Gjykatës, me titull Udhërrëfyes i Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ankimin Kushtetues Individual (1998-2023).
Organizimi i këtyre tryezave kishte për qëllim shkëmbimin e mendimeve profesionale për përmirësimin e mëtejshëm të udhërrëfyesit në të ardhmen, me synimin final për ta bërë atë edhe më të përdorshëm e të dobishëm.
Të pranishëm në këto tryeza ishin gjyqtarë nga Gjykata e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, Gjykata Administrative e Apelit, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë dhe ajo e Shkallës së Parë Lushnjë, si dhe gjyqtarë nga gjykata të ndryshme të shkallës së parë në rrethe.
Botimi ngjalli interesin e lartë të gjyqtarëve të pranishëm dhe u mirëprit si një mjet i vyer për punën e tyre. Gjatë takimeve, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjonin mbi metodologjinë e përgatitjes së materialit, si dhe mbi mënyrën e përdorimit të tij nga ekspertët e angazhuar me hartimin e këtij botimi. Gjithashtu, ata patën mundësi të bënin edhe sugjerime për përmbledhje të tjera të ngjashme të kësaj natyre të cilat ndihmojnë veprimtarinë e tyre profesionale.
Gjatë bashkëbisedimeve me gjyqtarët, Kryetarja Zaçaj u shpreh se udhërrëfyesi është një instrument i rëndësishëm jo vetëm për studiuesit e së drejtës, por ai u vjen në ndihmë pothuajse të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, dhe veçanërisht gjyqtarëve, të cilët në kuadër të parimit të subsidiaritetit trajtojnë gjatë gjykimit edhe pretendimet me natyrë kushtetuese. Po ashtu, ajo shtoi se, duke pasur si qëllim përmirësimin e cilësisë së ankimeve kushtetuese individuale, Udhërrëfyesi kontribuon për një akses të shtuar të qytetarëve në gjykatë dhe një mbrojtje më të mirë të të drejtave dhe lirive të tyre themelore.