Sot, në datën 6 dhjetor 2024, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese znj. Holta Zaçaj së bashku me disa anëtarë të saj, pritën në një takim zyrtar një delegacion me gjyqtarë të Gjykatës Mbretërorë të Drejtësisë nga Londra dhe Uells, në kuadër të realizimit të projektit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shkollën e Magjistraturës. Ky projekt ka për qëllim forcimin e shkëmbimit të eksperiencave dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e drejtësisë.
Kryetarja Za çaj i falënderoi gjyqtarët për vizitën në Gjykatën Kushtetuese si një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar praktikat më të mira në administrimin e drejtësisë, duke shkëmbyer mendime dhe përvoja lidhur me sistemet gjyqësore përkatëse, si dhe duke synuar vendosjen e një bashkëpunimi për të ardhmen.
Gjyqtarët nga Gjykata Mbretërore e Drejtësisë falënderuan anëtarët e Gjykatës për mikpritjen dhe konfirmuan mbështetjen e tyre në drejtim të shkëmbimit të informacionit për çështje ligjore në interes të gjykimit kushtetues, zhvillimit të vizitave studimore dhe forcimit të kapaciteteve trajnuese.