Në datën 7 nëntor 2024, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, priti në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, një delegacion të Gjykatës së Kasacionit të Italisë, të përbërë nga Kryetarja e Gjykatës, znj. Margherita Cassano, dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Stefano Mogini. Delegacioni i Gjykatës së Kasacionit të Italisë po zhvillon një vizitë pune dy-ditore në Shqipëri me ftesë të Gjykatës së Lartë shqiptare dhe shoqërohej në këtë takim nga z. Sandër Simoni, anëtar i kësaj gjykate si dhe nga magjistrati italian ndërlidhës z.Carmine Pirozzoli.
Gjatë takimit, Kryetaret kanë evidentuar marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, veçanërisht mes gjykatave kushtetuese respektive, dhe kanë shprehur vullnetin e mirë dhe angazhimin për ta përforcuar edhe më tej këtë bashkëpunim, duke marrë në konsideratë afrimitetin dhe ngjashmërinë mes dy sistemeve tona kushtetuese dhe juridike, si dhe aspektet kulturore të ndërlidhura. Po ashtu palët u shprehën se shkëmbime të tilla shërbejnë jo vetëm për të njohur më mirë njeri-tjetrin, por për të mbajtur të hapur dialogun midis gjykatave të larta dhe kushtetuese respective.
Pyetjet e drejtuara nga të dy Kryetaret e kthyen këtë takim kortezie në një tryeze pune ku shkëmbimi i informacioneve dhe mendimeve për çështje, të cilat gjykatat kanë dhënë zgjidhje përmes vendimeve të tyre, rezultoi tejet i dobishëm. Palët u ndanë me premtimin se, urat e bashkëpunimit dhe dialogut për të ardhmen duhet të konsolidohen për të vijuar sikundër marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona.