| Bookmark and Share

Takim me Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, 11 maj 2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, ka pritur sot në një takim zyrtar Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber. Në takim ishte e pranishme edhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Marsida Xhaferllari.

Kryetarja Zaçaj e falënderoi Ambasadoren Huber për vizitën dhe ndihmën e çmuar që shteti zviceran ka dhënë nëpërmjet programeve të ndryshme të zhvillimit në fusha të rëndësishme. Po ashtu Kryetarja Zaçaj, pasi bëri një përshkrim të detajuar të prioriteteve aktuale dhe nevojave më imediate të Gjykatës Kushtetuese për rinovimin e faqes zyrtare të internetit, modernizimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve dhe të shortit elektronik, digjitalizimin e arkivës së Gjykatës, hartimin e udhëzuesit të jurisprudencës se Gjykatës Kushtetuese sipas modelit të GJEDNJ-së, u shpreh se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mirëpret çdo mbështetje dhe bashkëpunim të ofruar nga partnerët ndërkombëtarë për të realizuar prioritetet e saj institucionale, qëllimi i të cilave është forcimi i reputacionit dhe integritetit, standardizimi i praktikave dhe zhvillimi i jurisprudencës, respektimi i paanshmërisë dhe transparencës institucionale.

Pasi e uroi Kryetaren Zaçaj për marrjen e kësaj detyre të rëndësishme, Ambasadorja Huber evidentoi linjat më kryesore të projekteve afatgjata që qeveria zvicerane po implementon aktualisht në Shqipëri, si dhe shprehu gatishmërinë për të shqyrtuar mundësinë e përfshirjes edhe të Gjykatës Kushtetuese në këto projekte, duke vlerësuar rëndësinë e këtij institucioni në forcimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, si kriteret më kryesore që duhen përmbushur gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

11052023

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.