| Bookmark and Share

Vizitë pune e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, 29 – 30 qeshor 2023

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, zhvilloi një vizitë pune në Prishtinë, Kosovë, në datat 29 – 30 qershor 2023.

Në kuadër të kësaj vizite u organizua një tryezë e përbashkët diskutimesh me pjesëmarrjen e trupave gjyqësore të të dyja gjykatave.

Tema e sesionit të parë të punimeve ishte “Ankimi kushtetues si e drejtë substanciale dhe gjykimi brenda një kohe të arsyeshme” dhe prezantimet kryesore të këtij sesioni u mbajtën nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, znj. Remzije Istrefi-Peci dhe z. Safet Hoxha.

Në sesionin e dytë të punimeve, gjyqtaret e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Fiona Papajorgji dhe znj. Elsa Toska, në prezantimet e tyre trajtuan temën “Kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve për subjektet e kushtëzuaara dhe të pakushtëzuara”.

Në vijim të prezantimeve të mbajtura, gjyqtarët e të dy gjykatave shtruan pyetje dhe ndanë mendime lidhur me çështjet e trajtuara, duke evidentuar rëndësinë e dialogut mes gjyqtarëve nëpërmjet organizimit të takimeve të tilla me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e vendimmarrjeve respektive.

Po ashtu, në datën 30 qershor 2023, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë zhvilloi një vizitë në ambientet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, gjatë së cilës u ritheksua vullneti i dyanshëm për të vijuar bashkëpunimin e shkëlqyer nëpërmjet nismave dhe veprimtarive konkrete në të ardhmen, edhe në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar mes dy gjykatave kushtetuese.

30 30

30 30

 

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.