| Bookmark and Share

Vizitë studimore e përfaqësuesve të Gjykatës Kushtetuese në gjykatat suedeze, 26 – 27 shtator 2023

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në kuadër të Projektit 2022-2024 të kësaj të fundit “Mbështetje për forcimin e shtetit të së drejtës”, zhvilloi një vizitë studimore pranë Gjykatës Supreme (Högsta Domstolen), Gjykatës Supreme Administrative (Högsta förvaltningsdomstolen) dhe Gjykatës së Apelit (Svea hovrätt), Stokholm, Suedi, në datat 26-27 shtator 2023.

Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese drejtohej nga z. Gent Ibrahimi, gjyqtar, dhe përbëhej nga përfaqësues të kabinetit të Kryetarit dhe të stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese, si dhe përfaqësues të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni është pritur në takime nga përfaqësues të Gjykatës Supreme, Gjykatës Supreme Administrative, si dhe Gjykatës së Apelit, gjatë të cilave janë bërë prezantime të detajuara lidhur me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor në përgjithësi në Suedi dhe gjykatave të sipërpëmendura në veçanti.

Në vijim, pjesëmarrësit kanë shkëmbyer idetë dhe përvojat respektive duke evidentur çështjet më të rëndësishme që lidhen me administrimin e veprimtarisë së Gjykatës, veçanërisht sa i takon marrëdhënies së gjykatave me publikun e gjerë dhe median, si dhe sistemeve elektronike të komunikimit dhe menaxhimit të çështjeve.

Po ashtu, gjatë ditës së dytë, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese ka pasur mundësinë të njihet në mënyrë më të detajuar me sistemin e menaxhimit elektronik të çështjeve në Gjykatën e Apelit, nëpërmjet demonstrimit livetë etapave që ndjek një çështje konkrete që nga momenti i regjistrimit të saj në gjykatë deri në momentin e përfundimit të procesit.

26 26

20 26 26

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.