Vizitë studimore e stafit administrativ të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Tribunalin Kushtetues të Spanjës, 16-17 nëntor 2015
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë i përbërë nga Sekretari i Përgjithshëm, Kujtim Osmani, Drejtori i Drejtorisë Ekonomike dhe Burimeve Njerëzore, Kujtim Sheshi, dhe këshilltaret ligjore Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Olta Aliaj, zhvilloi një vizitë studimore në Tribunalin Kushtetues të Spanjës, në Madrid, në datat 16 dhe 17 nëntor 2015.
Gjatë kësaj vizite dyditore, delegacioni u prit nga Kryetari i këtij Tribunali, Francisco Pérez de los Cobos, nga Sekretari i Përgjithshëm, Andrés Javier Gutiérrez Gil, si dhe nga Drejtori i Kabinetit të Kryetarit, José Manuel Pascual Garcia, të cilët theksuan gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy institucioneve kushtetuese.
Në ditën e parë në takimin me këshilltarët e Tribunalit Kushtetues, Maria del Camino Vidal Fueyo dhe Juan Carlos Cabanas Garcia, u trajtua çështja e pozitës juridike të këshilltarëve në Tribunalin Kushtetues të Spanjës dhe ndërhyrjet e këshilltarëve në proceset e ndryshme kushtetuese.
Ndërsa në ditën e dytë me këshilltarin, Luis Pomed Sanchez dhe Drejtorin Ekonomik dhe të Personelit, José Luis Gisbert Inesta, u shkëmbyen opinione dhe u ndanë përvojat respektive lidhur me shërbimet mbështetëse të gjyqtarëve si dhe me veprimtarinë ekonomiko-financiare të institucionit kushtetues.
Rreth këtyre temave, pati ndërhyrje dhe diskutime të shumta nga pjesëmarrësit lidhur me veprimtarinë e këshilltarëve dhe strukturave të tjera mbështetëse të të dy gjykatave kushtetuese.
Në përfundim të vizitës u ra dakord nga të dy Sekretarët e Përgjithshëm për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi dypalëshe.