| Bookmark and Share

NJOFTIM PËR MEDIAN

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë zoti Bashkim Dedja priti sot në një takim zyrtar në selinë e kësaj gjykate një delegacion të përbërë nga anëtarë të Parlamentit të Republikës Federale Gjermane, te kryesuar nga Prof. Dr. Patrick Sensburg, Deputet, Kryetar i Komisionit per Kontrollin e Procesit Zgjedhor, Imunitetin dhe Protokollin ne Bundestag, të cilët po zhvillojnë një vizitë disa ditore në Shqipëri, në kuadër të bisedimeve teknike me temë “Politika ligjvënëse dhe reforma e drejtësisë në Shqipëri”.

Gjatë këtij takimi, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese bëri një përmbledhje të situatës në të cilën gjendet aktualisht Gjykata Kushtetuese, duke u ndalur në rëndësinë që mbart reforma në drejtësi, veçanërisht procesi i vetting-ut, për sa i përket vetë gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe rritjes së besimit të publikut të zakonshëm tek organet e drejtësisë.

Po ashtu, palët në takim diskutuan në mënyrë të detajuar rreth elementeve më specifike të këtij procesi dhe rezultatet e tij të pritshme pozitive për plotësimin e kushteve dhe arritjen e standardeve të parashikuara për integrimin e Shqipërisë në strukturat e BE-së.

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.