| Bookmark and Share

NJOFTIM - SHPALLJE

PËR

HAPJEN E PROÇEDURAVE TË APLIKIMIT PËR VENDIN VAKANT GJYQTAR NË GJYKATËN KUSHTETUESE

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93, 125, 127 pika 1/b, 179 pika 2 dhe 12 të Kushtetutës, si dhe të neneve 7, 7/a, 7/b, 86 pika 4 shkronja “a”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe referuar shkresës nr. 101 prot, datë 25.03.2016 të Gjykatës Kushtetuese, me të cilën njoftohet se data 25.04.2016, konsiderohet si datë e mbarimit të mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi, me cilësinë e organit të emërtesës dhe me qëllim plotësimin e “ V akancës së parë”, të krijuar në Gjykatën Kushtetuese, me Dekretin nr. 10722, datë 07.02.2018, ka miratuar;

· Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e “Vakancës së parë” të krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit të kësaj gjykate Z. Sokol Berberi.

Presidenti i Republikës fton;

Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutën e vendit dhe nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurrimit të hapur publik, për vakancën e mësipërme, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës;

- Kërkesën për shpehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të shpallur;

- Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/email);

- Fotokopje të kartës së identitetit;

- Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

- Formularin e vetëdeklarimit të plotësur dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit, është i publikuar në faqen kryesore të institucionit të Presidentit të Republikës.

- Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, formular ky i cili është i publikuar në faqen kryesore të institucionit të Presidentit të Republikës.

Për lehtësinë e të gjithë aplikantëve, me qëllim plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, më poshtë gjeni të botuar përmbajtjen e nenit 125, pika 4 e 5 të Kushtetutës dhe nenit 7/a, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku parashikohen kushtet dhe kriteret për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese,

· Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Neni 125

4. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.

5. Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj.

· Ligji nr.8577, dt 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Neni 7/a

Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

3. Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:

a) vjetërsisë në profesion;

b) përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;

c) kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;

ç) treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;

d) ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;

dh) informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.

4. Organet e emërtesës marrin parasysh përbërjen e Gjykatës Kushtetuese në momentin e emërimit të kandidatit për të garantuar balancën ndërmjet përvojave profesionale të anëtarëve dhe respektimin e barazisë gjinore.

Kërkesa dhe dokumentat shoqëruese mund të dorëzohet me postë ose drejpërsëdrejti në ambjentet e Presidencës, në adresën: Institucioni i Presidentit të Republikës, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1 Tiranë, Kodi Postar 1001.

Afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm, është brenda datës 22 shkurt 2018.

Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikantëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të institucionit të Presidentit të Republikës dhe me mjetet e informimit publik, dhe menjëherë dosjet respektive për secilin aplikant do t’i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vlerësim sipas ligjit.

Institucioni i Presidentit të Republikës, do të bëjë transparente çdo rezultat të këtij procesi në përputhje me Kushtetutën dhe procedurën e parashikuar në nenin 7/b, të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Për çdo sqarim mos hezitoni të kontaktoni në këto të dhëna kontakti:

Numri telefonit: 042389898

© 2019 Gjykata Kushtetuese e Republikes se Shqiperise. Te gjitha te drejtat e rezervuara.