Në datat 15-16 nëntor 2011, në ambjentet e Hotel “Tirana”, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), organizuan një seminar të përbashkët me temë: “Vështrim mbi të Drejtën e Bashkimit Evropian”, me pjesëmarrjen e këshilltarëve ligjorë dhe stafit administrativ të kësaj gjykate. Lektor i seminarit ishte Profesor Dr.Jan Bergmann, gjyqtar në Gjykatën Administrative, Baden-Wurttemberg, Gjermani. Pjesëmarrësit në seminar i përshendeti Znj.Amalia Wuckert, përfaqësuese e Fondacionit IRZ, Bonn.
Gjatë seminarit dyditor, lektori bëri një prezantim mbi strukturat bazë të Bashkimit Evropian, mbi tregun e brendshëm dhe sistemin e mbrojtjes ligjore si dhe mbi mbrojtjen e të drejtave themelore në BE. Gjatë prezantimit, lektori gjerman solli dhe shembuj të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të trajtimit në praktikë të çështjeve të veçanta, nisur nga përvoja e tij si gjyqtar i një gjykate administrative.
Pjesëmarrësit, gjatë seancave të seminarit, diskutuan dhe dhanë opinionin e tyre në lidhje me temat dhe kazuset e trajtuara nga lektori.